0030 210 33 18 483

Athina reagon për takimin e Vjenës

24 Shkurt 2016

Athina zyrtare ka reaguar për takimin e Vienës, ku është vendosur marrja e masave për kufizimin e lëvizjes së refugjatëve në kufijtë kombëtarë. Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka paralajmëruar se Greqia nuk do të pranojë veprime të njëanshme. Këtë deklaratë shefi i qeverisë greke e ka bërë gjatë takimit me komisionerin e lartë të OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi. “Greqia është pjesë e një zgjidhjeje të mundshme, por në të njëjtën kohë, nuk do të pranojmë veprime të njëanshme prej askujt”, ka theksuar Tsipras. Më herët, Tsipras kishte komunikuar edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, në kohën që edhe berlini ka shprehur pakënqësinë për iniciativën austriake. Por Ministri i jashtëm austriak, Sebastian Kurz, ka kthyer mbrapsht kritikat nga Bashkimi Europian lidhur me takimin. Ai tha se është e nevojshme për të patur një koordinim të kufizimeve në kufijtë kombëtarë, në mungesë të masave europiane. Kurz ishte mjaft kritik ndaj Greqisë. “Nuk ka gatishmëri nga pala greke për reduktim të flukseve të refugjatëve”, tha Kurz, duke theksuar se Greqia “interesohet vetëm që të transportojë sa më shpejt refugjatët për në brendësi të Europës”. Pas takimit, ministrja e brendshme austriake, Johanna Mikl-Leitner tha se itinerarin ballkanik do të mund të vazhdojnë vetëm ata që gëzojnë vërtetë mbrojtje ndërkombëtare dhe këtë do ta vendosë secili prej vendeve pjesëmarrëse në takimin e Vjenës. Kjo do të sjellë si rezultat vështirësi edhe më të mëdha për refugjatët që i drejtohen refugjatëve në kufirin greko-maqedon, ku ditët e ardhshme parashihet një mbipopullim dramatik. Ministri grek i emigracionit, Janis Muzalas, deklaroi se vendimi i vendeve ballkanike për të kufizuar flukset e refugjatëve do të shkaktojë “një minikrizë humanitare në Greqi”. I të njëjtit mendim ishte edhe komisioneri i lartë për refugjatët, Filippo Grandi. Sipas tij, kjo do të krijojë një situatë pa rrugëdalje në Greqi. Shpresoj të mos mbetet kjo masë e madhe refugjatësh në Greqi. Mirëpo, po të ndodhë, ne jemi të gatshëm ta menaxhojmë”, tha komisioneri i UNCHR-së, por pa dhënë detaje se si do të jetë ky menaxhim. Tribuna

Ndaje me miqte