0030 210 33 18 483

Athinë ekzekutohet avokati i njohur grek. Dyshohet se vrasësit janë shqiptarë

Tribuna 13 Tetor 2017

Një avokat i njohur grek është ekzekutuar në zyrën e tij në qendër të Athinës mbrëmjen e të enjtes. Mihalis Zafiropulos, ishte në zyrën e vet, në takim të fiksuar që më përpara me dy persona. Ky takim që nuk zgjatur veçse pak minuta, ishte në fakt i fundit për avokatin e njohur, që është qëlluar vetëm me një të shtënë dhe ka humbur jetën menjëherë, me gjasë nga hemoragjia. Autoritetet kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të jetë një akt terrorist. Sipas dëshmive të para që janë publikuar në media, autorët e vrasjes kanë qenë të huaj, ngase nuk e flisnin mirë greqishten. Ka spekulime mediatike që një nga pistat e hetimeve po shqyrton nëse autorët e vrasjes ishin shtetas shqiptarë. Në fakt, një nga çështjet penale me të cilën po merrej aktualisht viktima ishte ajo e vrasjes në tentativë kundër një avokati tjetër grek. Të akuzuar janë dy shtetas shqiptarë, që kishin identifikuar si porositës një person grek. Ky nga ana e vet është ndër të pandehurit kryesorë për një prej skandaleve më të mëdhenj të viteve të fundit, që njihet si “skandali Energa”. Zafiropulos ishte avokat i Energa-s që gjithashtu i ka akuzuar dy shtetasit shqiptarë se po e shantazhonin kompaninë e penalizuar. Zafiropulos, 52 vjeç dhe baba i dy fëmijve, ka qenë zgjedhur dy herë si nënkryetar i Dhomës së Avokatëve të Athinës. Ai ishte biri i një politikani të njohur të Demokracisë së re, që ka vdekur në 2006. Gjithë partitë politike e dënuan vrasjen. Dhoma e avokatëve të Athinës menjëherë pas njoftimit për vrasjen e Zafiropulos, vendosi që anëtarët të pezullojnë çdo aktivitet deri të premten e ardhshme, “si një shenjë minimale të zisë për vrasjen monstrouze të kolegut, por edhe si një reagim ndaj dhunës së verbër që ushtrohet kundër avokatëve”, thuhet në njoftimin përkatës.

Ndaje me miqte