0030 210 33 18 483

Athinë gatishmëri në rritje ndaj akteve terroriste

Tribuna 22 Prill 2017

Autoritetet greke e kanë rritur edhe më shumë gatishmërinë, pas shpërthimit të një bombe në selinë e bankës Eurobank, të mërkurën në mbrëmje në Athinë. Masat e sigurisë janë përforcuar edhe më tepër në ruajtjen e godinave qeveritare, por edhe atyre me karakter ekonomiko-financiar si dhe disa prej ambasadave. “Sulmi ndaj Eurobank, bashkë me ato që u shënuan kohët e fundit, përbëjnë një cikël të ri aktesh terroriste që do të mbarojë së shpejti”, i ka deklaruar gazetës greke Kathimerini një oficer i lartë i shërbimit anti terror. Bomba që shpërtheu të mërkurën në mbrëmje, shkaktoi vetëm dëme materiale në fasadën e bankës dhe në godina të tjera përreth. Megjithëse ekspertiza nuk ka përfunduar ende, dyshohet se bomba përbëhej nga 3 kilogramë dinamit. Detonatori ndodhej në një çantë shpine të cilën e lanë në hyrje të bankës dy persona që u larguan menjëherë me motoçikletë. Ekspertët vlerësojnë se atentatorët janë të njëjtët me ata që para disa javësh vendosën një bombë në selinë e ministrisë së punës dhe në një rajon policie pranë qendrës së Athinës. Në të dy ato raste, bombat ishin gjetur më herët dhe u çaktivizuan para kohës së shpërthimit. Ndërsa në rastin e të mërkurës, nuk ofrohej koha e nevojshme, prandaj dhe bomba shpërtheu. Edhe pse asnjë organizatë nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin e të mërkurës, mendohet se pas tij qëndron grupimi guerril “komploti i celulave të zjarrit”. Ky është grupim i që muajin e kaluar postoi zarfat bombë në zyrën e ministrit gjerman të financave në Berlin, por edhe të misionit të FMN-së në Paris. Autoritetet thonë se është vërtetuar dyshimi i tyre për një riorganizim të Komplotit të celulave të zjarrit, pas goditjes vendimtare që iu dha duke arrestuar e burgosur liderët e tij.

Ndaje me miqte