0030 210 33 18 483

Athinë incidente gjatë protestave ndërsa pritet votimi i masave të reja shtrënguese

Tribuna 18 Maj 2017

Qytetarët grekë kanë protestuar të mërkurën kundër paketës së re me masa shtrënguese që po përgatitet të votojë qeveria Tsipras. Mijëra njerëz i janë përgjigjur thirrjes së unioneve sindikale dhe u tubuan para parlamentit, ndërsa vazhdonte greva e përgjithshme 24 orëshe. Një përfaqësues i komitetit koordinues të grevës tha se sindikatat po i nxisnin qytetarët që të dilnin në rrugë “për një betejë të vërtetë sot dhe neser, kundër memorandumit të turpshëm” që qeveria ka nënshkruar me kreditorët. Në përfundim të protestave u shënuan incidente të dhunshme. Grupe të rinjsh që mendohet se u përkasin grupimeve anarkiste, hodhën bomba molotov kundër njësive të policisë në sheshin Syntagma. Nga ana e saj, policia u përgjigj duke përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese. Incidentet vazhduan më pas në rrugicat rreth qendrës së Athinës, ku anarkistët sulmuan patrullat e policisë. Pesë automjete të parkuara në zonën e incidenteve u përfshinë nga flakët, që u shuajtën me ndërhyrjen e zjarrfikësve. Protesta e sotme u zhvillua në kohën që brenda parlamentit po zhvilloheshin debate të ashpra midis opozitës dhe qeverisë. Partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re paraqiti një mocion ku kërkonte që projektligji me paketën e re të masave të shpallet antikushtetues. Por ky mocion u rrëzua nga maxhoranca. Nga debati mungon grupi parlamentar i Agimit të Artë, që u përjashtua për dy ditë pas incidentit të njerit prej deputetëve me një koleg të Demokracisë së Re. Paketa e masave pritet të votohet të enjten nga 135 deputetët e SYRIZA-s dhe partia e djathtë Grekët e Pavarur, që përbëjnë koalicionin qeveritar të drejtuar nga radikali i majtë Aleksis Tsipras.

Ndaje me miqte