0030 210 33 18 483

Athinë masa të rrepta sigurie për vizitën e presidentit Obama

TRIBUNA 14 Nentor 2016

Në kryeqytetin grek, Athinë forca të shumta policore dhe agjentë të shërbimeve sekrete janë mobilizuar në një operacion sigurie që konsiderohet pa precedent. Të martën këtu mbërrin presidenti amerikan Barack Obama, në një vizitë që qeveria greke e vlerëson si jashtëzakonisht të rëndësishme. Ende nuk dihet ora e saktë kur avioni presidencial Air Force One do të ulet në aeroportin ndërkombëtar të Athinës. Presidenti Obama do të pritet nga homologu i tij i republikës greke Prokopis Pavlopulos. Më pas presidenti Obama do të takohet me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras dhe do të pasojë një konfefrencë e përbashkët për shtyp. Në Athinë, presidenti Obama do të mbajë edhe fjalimin e tij të fundit larg shteteve të Bashkuara. Fillimisht kjo ishte caktuar të bëhej të në një mjedis natyror, poshtë Akropolit të famshëm. Mirëpo kjo zgjidhje u anulua për arsye sigurie. Masat e sigurisë për vizitën e presidentit Obama vlerësohen si shumë më të ashpra nga ato që ishin zbatuar 17 vjet më parë, kur presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton kishte vizituar Athinën, vetëm pak muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Më shumë se 5.000 policë dhe mbi 500 agjentë të shërbimeve inteligjente greke dhe amerikane marrin pjesë në operacionin e sigurisë. Përveç avionit presidencial, do të kenë mbërritur më herët në Athinë aviona të tjerë që do të sjellin të paktën tri makina të blinduara, armatim të rëndë dhe pajisje elektronike sigurie. Sipas portalit Huffington post, në dy ditët e qëndrimit të presidentit Obama, Athina do t’i ngjajë një zone shtetrrethimi. Përgjatë hapësirës ku do të qarkullojë e qëndrojë presidenti amerikan, në shumë prej terracave do të jenë vendosur snajpera. Do të ndalohet që prej orësh përpara qarkullimi i automjeteve, në të gjitha rrugët nga do të kalojë autokolona me presidentin Obama. Vetëm pak ditë para mbërritjes së presidentit amerikan, persona të panjohur sulmuan me granatë selinë e ambasadës franceze në qendër të Athinës. Kjo ngjarje e të enjtes së kaluar e ka shtuar edhe edhe më shumë alarmin e autoriteteve greke. Në kohën që një prej organizatave më aktive guerrile në vend, Kompoloti i celulave të zjarrit, ka bërë thirrje për, siç thotë “prishjen e festës”, gjatë vizitë së presidentit Obama. Një tjetër kokëçarje e autoriteteve të sigurisë ka të bëjë me protestat e shumta që janë paralajmëruar kundër pranisë së presidentit amerikan. Ministri grek i rendit deklaroi të dielën se protesta është një e drejtë demokratike dhe e pakontestueshme, por ai theksoi se këto protesta do të lejohet të bëhen vetëm në zona ku nuk do të lëvizë presidenti Obama. Duke folur për masat e sigurisë, ministri Nikos Toskas, tha se “nuk do të jenë të ekzagjeruara, por do të jenë në nivelin që kërkon garantimi i një mjedisi të sigurtë për një vizitor të tillë siç është presidenti amerikan”.

Ndaje me miqte