0030 210 33 18 483

Athinë përleshje midis anarkistëve dhe policisë në 8 vjetorin e vrasjes së Grigoropulos

TRIBUNA 06 Dhjetor 2016

Përkujtimi i 8 vjetorit të vrasjes së Aleksandros Grigoropulos është shoqëruar nga përleshje të ashpra midis anarkistëve dhe policisë në zonën Eksarkia të Athinës. Përleshjet filluan pasditen e të martës, kur anarkistët goditën parreshtur me gurë forcat e policisë. Policia nga ana e vet u kundërpërgjigj me përdorim të gazit lotsjellës. Situata u përshkallëzua në orët e mbrëmjes, kur anarkistët nisën të flaknin edhe bomba molotov, ndërsa u vunë zjarrin dhjetra kazanëve të plehrave dhe gomave të makinave. Në mbrëmje, qielli i qendrës së Athinës ishte i mbuluar nga një re e dendur tymi. Policia njoftoi se ka ndaluar 18 persona që janë shoqëruar për në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të policisë greke. Më herët gjatë ditës ishin zhvilluar protestat paqësore të nxënësve dhe studentëve, ku pati një pjesëmarrje masive. Për orë të tëra ishin mbyllur stacionet e metrosë “Syntagma” dhe “Panepistimio”, që ndërkaq u hapën në mbrëmje dhe metroja funksionoi normalisht. Aleksandros Grigoropulos ishte vetëm 15 vjeç kur u qëllua për vdekje nga një patrullë policie mbrëmjen e 6 dhjetorit 2008. Menjëherë pas kësaj mijëra të rinj u grumbulluan në vendgjarje dhe protestuan për gjithë natën. Për tri ditë rresht situata doli krejtësisht jashtë kontrollit të autoriteteve, ndërkohë që protestuesit shkaktuan zjarrvënie masive dhe shkatërruan komlkese tregtare e banka, dhe grupe keqbërësisht e plaçkitën një numër të madh dyqanesh në qendër të Athinës.

Ndaje me miqte