Në Athinë ka filluar një raund i ri negociatash midis qeverisë greke dhe përfaqësuesve të kreditorëve. Negociatat synojnë arritjen e një marrëveshjeje, që do t’i mundësojë Greqisë të marrë këstin e radhës të kredisë, në kohën që kreditorët paralajmërojnë se ky këst është i disponueshëm deri më 31 tetor. Në qendër të negociatave të tanishme ndodhen 15 detyra që duhet të realizojë urgjentisht qeveria greke dhe që lidhen kryesisht me luftimin e korrupsionit dhe privatizimet. Për disa prej këtyre çështjeve propozimet e deritanishme të qeverisë greke kanë hasur në rezistencën e fortë të kreditorëve, por në Athinë ka optimizëm se do të gjendet gjuha e përbashkët. Raundi i negociatave fillon për qeverinë greke me trysninë e mesazheve që dërguan ministrat e financave të eurozonës, nga takimi i tyre në Bratislavë, fundjavën e kaluar. Shefi i eurozonës, Jerun Dijsselbloem, tha se qeveria greke ka bërë një farë progresi, por theksoi se mbeten ende shumë për të bërë, me qëllim që të avancohet në disbursimin e këstit. Komisioneri për financat, Pierre Moscovici, tha se koha që u humb gjatë kësaj vere mund të fitohet në negociatat e tanishme. “U humb kohë, por është e qartë se këto vonesa mund të balancohen me intensifikimin dhe dhe përshpejtimin e negociatave”, deklaroi Moscovici duke shtuar se nuk nevojitet “dramatizimi i situatës”, pasi ekziston mundësia e finalizimit të negociatave brenda grafikut të caktuar. Deklarata më shqetësuese për Athinën është bërë nga Klaus Regling, drejtor i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), që është dhe huadhënësi kryesor i programit të tretë të shpëtimit të Greqisë. Regling theksoi se ESM është i gatshëm në pikëpamje teknike që të avancojë në disbursimin e këstit, por e kushtëzoi këtë me plotësimin e gjithë kërkesave të tanishme nga ana e Athinës. Regling paralajmëroi që negociatat duhet të finalizohen deri më 31 tetor. Pas kësaj date kësti me vlerë 2,8 miliardë euro nuk do të jetë më i disponueshëm dhe Greqia mund ta humbasë. Megjithëse me vlerë më të vogël se shumë transhe të mëparshme, ky këst i kredisë është jashtëzakonisht i çmuar për qeverinë, por edhe për ekonominë greke. Më shumë se gjysma e këstit, ose 1,7 miliardë euro do të paguhen që shteti grek të shlyejë një pjesë të detyrimeve që ka ndaj biznesit privat dhe që aktualisht kapin vlerën 5,5 miliardë euro.