Athinë &ldquotym i bardhë&rdquo në negociatat me kreditorët
Tribuna
02 Maj 2017
Në Athinë kanë përfunduar negociatat e lodhshme midis qeverisë greke dhe kreditorëve. Lajmin e ka bërë të ditur ministri grek i financave, Euklidis Tsakalotos.
“Negociatat e u finalizuan. Kemi tym të bardhë”, deklaroi ministri në orën 6 të mëngjesit të së martës, pas negociatave të fundit që kishin filluar 12 orë më herët, pasditen e të hënës.
Ministri u deklarua i sigurt se tashmë hapet rruga edhe për avancimin e marrëveshjes për lehtësimin e borxhit grek, pasi, siç tha, “tashmë nuk ekziston më justifikimi i ngërçit të negociatave për programin e reformave”.
“Ajo që ka për të bërë tani qeveria greke, është që ta zbatojë marrëveshjen dhe nga ana tjetër, të hapet diskutimi për lehtësimin e borxhit grek”, u shpreh Tsakalotos.
Me gjithë rezistencën e madhe, qeveria greke do të avancojë në reformat e kërkuar prej kreditorëve, gjë që pritet të shtojë edhe më shumë pakënaqësinë e qytetarëve.
Por qeveria ka arritur që zbatimin e masave të reja për kursimet ta shtyjë për vitin 2019, me shpresën se deri atëherë performanca e ekonomisë do të jetë përmirësuar dhe masat e ashpra nuk do të jetë nevoja të zbatohen.
Marrëveshja e re parashikon reduktime të reja me 18% në pensionet, çka pritet të prekë më shumë se 900.000 pensionistë. Gjithashtu, ulja e limitit të të ardhurave të patatueshme, do të detyrojë të paguajnë një taksë të ardhurash deri 600 euro në vit, edhe ata qytetarë që kanë një pagë prej 450 euro në muaj.
Ministri grek i financave deklaroi se gjatë negociatave “pati lëshime reciproke” dhe se me “disa gjëra jemi të kënaqur, me disa gjëra të tjera, jemi më pak të kënaqur”.
Por qeveria ka kyçur me kreditorët edhe masat favorizuese për qytetarët. Këto masa do të zbatohen krahas masave të ashpra të 2019-s, por me kusht që Greqia të ketë realizuar objektivat fiskalë.
Sipas burimeve qeveritare që citohen nga shtypi grek, paketa e masave të reja do të kalojë në parlament për votim deri më 13 maj. Draftet do të përkthehen dhe do t’iu dërgohen kreditorëve, që do t’i diskutojnë fillimisht në takimin e ekspertëve dhe më pas në takimin e ministrave të financave të eurozonës, më 22 maj.
ky do të jetë një takim vendimtar, pasi pritet që në fund ministrat të miratojnë çlirimin e një kësti me vlerë 7 miliardë euro të kredisë prej 86 miliardësh, që i është akorduar Greqisë në kuadër të planit të tretë të shpëtimit.
Ndaje me miqte