0030 210 33 18 483

Atletja shqiptare Luiza Gega shpallet nënkampione e Europës

11 Korrik 2016

Shqipëria mori një medalje të rëndësishme në Kampionatin Europian të Atletikës që u zhvillua në Amsterdam. Luiza Gega u shpall nënkampione e Europës në garën e 3000 metrave në këtë garë. Atletja shqiptare bëri një paraqitje dinjitoze duke luftuar për vendin e parë deri në momentet e fundit por rivalja e saj, gjermania Krause u rendit e para ndërsa Gega e dyta duke bërë për vete medaljen e argjendtë dhe titullin e nënkampiones së Europës. Gega u rendit në vendin e dytë në finalen e garës së 3000 m me pengesa për femra pasi e ndali kronometrin në kohën 9:28.52 duke thyer me rreth 4 sekonda rekordin kombëtar në këtë disiplinë, pasi ka përmirësuar kohën që ajo vetë kishte vendosur më parë me kohën 9.31. Kjo ishte hera e tretë që Luiza Gega provon të zhvillojë një garë të tillë shpejtësie dhe rezistence njëkohësisht, pas Golden Ligës së zhvilluar në Paris dhe kampionatit kombëtarë në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë disiplina e preferuar e Gegës e cila më parë konsiderohej një atlete e shpejtë dhe rezistente, por puna muajve të fundit me trajnerin e saj Taulant Stërmasi ka dhënë frytet në një disiplinë relativisht të vështirë. Në të njëjtën disiplinë, pra në garën e 3000 metrave me pengesa Luiza Gega do të marrë pjesë edhe në lojërat olimpike të Rios që do të zhvillohen në gusht të këtij viti.

Ndaje me miqte