0030 210 33 18 483

Aty ku nis zëri i botës së lirë

20 Janar 2016

Sa më shumë vraponte koha që nga mbyllja e BBC Shqip (28 shkurt 2011), aq më tepër ngjizej tek unë ideja për shkrimin e një libri, të një rrëfimi jo vetëm personal, mbi 18 vitet që punova për atë radio prestigjoze. Mirëpo, gjatë përsiatjeve të mia të gjata para fletës së bardhë, ideja u transformua: libri nuk do të ishte vetëm për BBC-në, po për katër radiot e mëdha (BBC, Zëri i Amerikës, Deutsche Welle dhe Free Europe), të cilat në periudha të caktuara të historisë botërore këto tetë dekadat e fundit, luajtën një rol përcaktues në zhvillimet ndërkombëtare. Kështu, nisa të gërmoj më tej dhe, falë makinës së shkëlqyer të internetit, një ditë gjeta një punim të shkurtër mbi historinë e radios Free Europe/Radio Liberty (radio Liria), ose siç njihet në audiencën mbarëshqiptare, radio Europa e Lirë. Sipas studimit, me rënien e komunizmit, në nisjen e viteve 1990-të,pati mendime se RFE/RL e kishte përmbushur misionin e vet dhe do të mund të mbyllej. Zërat më fuqishëm që kërkonin vazhdimin e programeve, “posaçërisht gjatë periudhës së tranzicionit demokratik”, ishin ato të liderëve të rinj -shumë prej të cilëve ish disidentë- të vendeve që sapo kishin flakur sundimin komunist. “Kemi nevojë profesionalizimin tuaj dhe aftësinë tuaj për t’i parë gjërat nga një perspektivë e gjerë”, kishte deklaruar presidenti i ekisë, Vaclav Havel. Kur e vërteta vjen nga larg... Momenti ideal për të hedhur rreshtat e para në librin e ri që mendova ta titulloj “Kur e vërteta vjen nga larg”, ishte një udhëtim në Pragë, në mesin e dhjetorit 2015. Përse Praga? Sepse në kryqytetin çek ndodhet selia e RFE, e transferuar nga Mynihu këtu, në plotësim të një kërkese të Havelit, që ofroi godinën e parlamentit, kundrejt një çmimi simbolik prej 1 dollar në vit. Afeksioni i Havelit ndaj RFE-së shpjegohej jo vetëm me rolin e radios gjatë gjithë kohës së totalitarizmit, por edhe me një fakt tepër domethënës: RFE ishte radioja e vetme që transmetonte direkt nga sheshi Wenceslas, më 17 nëntor 1989, kur kulmuan protestat e Revolucionit të Kadifenjtë që i dhanë fund komunizmit në ekosllovaki. Nga sheshi raportonte drejtori i shërbimit çekosllovak, Pavel Pechacek, që ishte shndërruar në një lloj ndërlidhësi jo vetëm midis protestuasve dhe botës së jashtme, por më së shumti ndërmjet protestuesve dhe vetë qytetarëve vendas. Nuk e zgjata. Pasi hodha disa shënime-piketa, në bllokun tim, nisa një email që nga Athina, për të fiksuar takimet me personat që unë mendoja se duhej folur domosdo; sepse një libër, sado mirë që të shkruhet ngjan si një bukë bajate nëse nuk bazohet në kontaktet e drejtpërdrejta me protagonistët. Përgjigjja nga zyrtarja e komunikimit mnë RFE, Jana Hokuvova ishte e menjëhershme. Të nesërmen e mbërritjes time në Pragë, një mesditë (si zakonisht) të ftohtë, u gjenda në hollin e selisë së RFE/RL, ku Hokuvova me priste me një buzagaz që besoj se nuk mungon kurrë nga fytyra e saj, e cila rrezaton paqe dhe një tension pozitiv njëkohësisht. Që nga viti 2009, RFE është mbartur në një godinë të re, të ndërtuar enkas, mjediset e të cilët të kujtojnë ato të Parlamentit Europian në Starsburg. Paralelizëm i natyrshëm, pse edhe këtu kemi një foltore të fjalës së lirë, që përcjell të vërtetën tek audiencat e etura, aty ku e vërteta mbytet çdo ditë, ose nga dhuna, ose nga propaganda e qeveritarëve vendorë - të dashuruar pas autokratizmit që tashmë nuk ka kuverturën ideologjike të komunizmit. Përndryshe, RFE vetëpërcaktohet si një “media alternative”, “aty ku rrjedha e lirë e informacionit ose është ndaluar nga autoritetet qeveritare, ose nuk është plotësisht e zhvilluar”. “Në Afganistan shtypi është relativisht i lirë tashmë. Por shumica e mediave mbështeten nga Irani e Pakistani dhe promovojnë axhendën e tyre”, më thotë shefi i shërbimit Afgan në RFE, Mohammad Hashem Mohmand. “Vendi ka bërë progres në përpjekjet për demokraci dhe ekonomi tregu... Mirëpo, asgjë nuk funksionon siç duhet”. Hasham i ka kaluar të gjashtëdhjetat. Flet ngadalë, i shoqëron fjalët me gjestikulacione duarsh dhe portreti i tij më kujton një aristokrat europian të ditëve të sotme, siç i kam parë në filma. Jeton në Europë që nga viti 1972, kur erdhi nga Afganistani për studime dhe ka hyrë në dekadën e tretë të punës në RFE. Nuk e fsheh krenarinë kur flet për shërbimin që ai drejton. Një krenari e përligjur, përderisa Radio Azadi ka një audiencë të lakmueshme. Afganët janë “një popull radiofonik”, më thotë duke qeshur Hashemi dhe shpjegohet: “Vendi në masë të madhe është i pa elektrifikuar. Kështu, i vetmi mjet informimi dhe argëtimi është radioja me tranzistorë”. (Të nesërmen, RFE njoftoi se kishte falur 20.000 radio dore për dëgjuesit afganë). Në një kënd të veçantë në redaksinë e shërbimit afgan janë ekspozuar disa prej rreth 30.000 mesazheve të dërguara nga dëgjuesit e Radio Azadit. Për mua gjuha është sigurisht e pakuptueshme, por më shumë se fjalët, flasin vizatimet, kryesisht lule, që ilustrojnë këto mesazhe... Gazetaria që ndërton Njëlloj si Hashemi, edhe shefi i shërbimit pakistanez, Mohammad Amin Mudaqiq, do të më fliste fillimisht për rolin që kishin luajtur radiot e huaja, kryesisht BBC, gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit, por edhe më gjerë. Emisioni i BBC në gjuhën farsi (që flitet gjerësisht në Afganistan, por edhe në Pakistan), “ishte i vetmi burim informacioni për ne”, më thotë Hashemi. “Në ato vite, shumë njerëz u vranë, vetëm pse dëgjonin BBC apo Zërin e Amerikës... Pjesa veriore e vendit u hodh në kryengritje vetëm falë BBC-së”, thotë Amini. Dhe shton: “Roli i BBC ishte të shkatërronte regjimin totalitar. Roli i RFE është që të ndërtojë, të informojë dhe të edukojë popullsinë”. “Ne informojmë dhe i shpjegojmë popullit, e ndihmojmë të kuptojë vështirësitë e vendit. Vendi duhet ndërtuar, megjithëse njerëzit janë të varfër dhe u mungojnë dhjetra gjëra”, më kishte thënë më parë Hashemi. Ndërsa Amini më tha mes të tjerash se, qytetarët e zakonshëm dhe politikanët e moderuar i shohin si heronj njerëzit që punojnë për RFE. Abukabar Siddique, editor i sajtit “Gandhara”, jeton në Pragë me gruan dhe tre fëmijtë, mirëpo udhëton shpesh në Pakistan, Afganistan dhe në perëndim, ku bashkëpunon me shumë institute të njohura angleze dhe amerikane. Me një sinqeritet të natyrshëm, më thotë se ëndërra e tij është zë merret me Antropologjinë, për të cilën ka studiuar. Po ndërkaq është e qartë se për momentin e ka thithur gazetaria. Mësoj se Gandhara, që i ka dhënë emrin sajtit, është një zonë antike që përfshin pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit. Përmbajtja e sajtit i drejtohet auditorit në të dy vendet dhe ofron raporte, analiza dhe komente të drejtpërdrejta, nga korrespondentët e të dy shërbimeve, me objektiv të vetëm promovimin e paqes. “Gandhara” ka 200.000 vizitorë në muaj dhe ka një influencë të konsiderueshme. Politikanët dhe secili prej këshilltarëve të dy presidentëve e lexon rregullisht, ndërsa nga mesazhet drejtuar redaksisë, rezulton se vizitorët janë nga të gjitha shtresat shoqërore dhe jo vetëm elitat. Në barin e RFE, me nga një kafe përpara, biseda është zhvendosur pa e kuptuar nga objekti im kryesor, që është puna e Abukabarit në radio. Po flasim për gazetarinë në ditët e sotme, për transformimin dhe nevojën që ajo të ruhet si një mision në të mirë të njerëzve. Ndjej se kemi shqetësime të përbashkëta dhe e pyes sa vjeç është. “Tridhjetetë”. “Duke të dëgjuar, mendova se ishim bashkëmoshatarë”, i them me sinqeritet. Me gazetarë si Siddique dhe kolegët e tij, jo vetëm në këtë radio, por në mjaft media anekënd botës, mbetet e gjallë dhe fuqishme përpjekja për të përcjellë të vërtetat e dobishme tek njerëzit që i kanë kaq shumë nevojë. Por kjo, sigurisht, ka edhe një çmim... mimi i të vërtetës Nuk më shqiten nga mendja fjalët që më tha Mohammad Amin Mudaqiq, shefi i shërbimit pakistanez: “Eshtë privilegj që jetojmë në Pragë, sepse jemi të sigurt. Mirëpo, unë jam përgjegjës për jetën e reporterëve të mi në terren dhe nuk mund të bëj asgjë”... Në fakt, Afganistani dhe Pakistani përfshihen mes vendeve ku liria e shtypit ka kufizime të konsiderueshme, në renditjen e Freedom House. Por më shumë se prej autoriteteve legjitime, puna e gazetarit në këto vende vështirësohet e nganjëherë ka edhe pasoja tragjike, për shkak të ekzistencës së grupimeve të ndryshme ekstremiste rivale. Dy korrespondentë të RFE janë vrarë vitet e fundit në Pakistan, e shumë të tjerë janë rrëmbyer e mbajtur peng. Në shumicën e rasteve, për lirimin e pengjeve nuk kërkohen para, por videot apo materialet zanore që kanë regjistruar reportrët. “Ndihesh direkt i ekspozuar ndaj rreziqeve. Por nuk e di se cili është armiku yt në të vërtetë: Janë talibanët, shërbimet sekrete, barrierat kulturore...”, më thotë Amini. “Kundërshtarët tanë sot janë ekzistenca e talibanëve, ISIS, partitë islamike ekstremiste dhe grupet ekstremiste”, i përgjigjet pyetjes time Hashemi dhe më rreshton rastet e rrëmbimeve të reportereve apo kërcënimet telefonike në zyrat lokale të RFE. Gordana Knezevic, shefe e shërbimit ballkanik, më tregon se cili ka qenë momenti më i vështirë që ka përballuar seksioni. Mbrëmjen që filluan bombardimet e NATO-s kundër Milosheviçit, i gjithë stafi në Beograd i Radio Slobodna Evropa (RFE në serbisht), u kërcënua, u përfshi në “listën e zezë” të MPB me motivacionin se “ata që punojnë për RFE janë armiq”. Pak ditë më vonë, Gordana do të shkruante në një artikull mbi ato bombardime, duke e ndërlidhur me luftën në Bosnje: “Unë isha një serbe e rrethuar nga serbët. Unë e identifikoj veten me çdo person në Sarajevë që ishte i ekspozuar ndaj bombardimeve serbe. Isha dëshmitare e dhimbjes së myslimanëve boshnajkë, të kroatëve, çifutëve dhe serbëve që u detyruan të lenë shtëpitë e tyre. Nuk mund të identifikohem me ata që filluan të shtënat (luftën), ose t’u ofroj autorëve të këtij akti mbështetje morale nëpërmjet heshtjes”. “Nuk jemi radio e mirë për nacionalistët”... Gordana Knezevic është një grua e qetë, por rrezaton mjaft energji sapo fillon të flasë. Eshtë serbe e lindur në Beograd, por që momentet më decizive të jetës së saj ka jetuar në Bosnje, ku gjatë luftës ishte një nga dy drejtuesit e gazetës historike Oslobodjenje të Sarajevës. Për këtë dhe u nderua, bashkë me kryeredaktorin Kemal Kuspahic, me çmime të ndryshme ndërkombëtare, ku motivacioni përgjithësisht ishte “për trimëri, këmbëngulje dhe përkushtim ndaj parimeve të gazetarisë”. Përgjithësisht emisionet e RFE për Ballkanin kanë një influencë në vendet ku transmetohen. Influencë absolute në Kosovë, - “ku publiku na konsideron si radio vendase”- dhe në Bosnje e më pak në FYROM. Por problemin më të madh e kanë në Serbi, për shkak të ndjenjave anti amerikane që dominojnë në opinionin serb dhe që u forcuan pas bombardimeve të NATO-s në 1999. Gordana më tregoi se si, kur jep konferenca për shtyp kryeministri Alexander Vucic, zëdhënësi pyet nëse ka në sallë korrespondent nga RFE. Nëse përgjigjja është “po”, atëherë zëdhënësi thotë: “konferenca është vetëm për mediat vendase”. “Ne nuk jemi një radio e mirë për nacionalistët”, më thotë me buzën në gaz Gordana. ROBERT GORO

Ndaje me miqte