Austri konservatorët e Sebastian Kurz fitojnë zgjedhjet legjislative
Tribuna
16 Tetor 2017
Konservatorët e Sebastian Kurz fituan të dielën zgjedhjet legjislative në Austri dhe tani është në pozitën që të bëhet në moshën 31 vjeçare drejtuesi më i ri në Evropë.
Pas një fushate elektorale të përqendruar në temat e imigrimit, të islamizimit dhe të refugjatëve dhe një gare të populistëve nga e djathta dhe ekstremi i djathtë, Austria duket se do të orientohet djathtas.
Partia Popullore Austriake (OVP) me kandidatin e saj Sebastian Kurz ka fituar sipas përllogaritjeve paraprake 31,5% të votave.
Pas saj renditet Partia Socialdemokrate e kancelarit aktual Christian Kern. Në vend të tretë me 25,9% renditet partia populiste e djathtë FPO.
Fushata e zgjedhjeve u mbizotërua nga çështja e imigracionit. Austria, me një popullsi prej më pak se 9 milionësh, priti 90 mijë azilkërkues, shumica myslimanë gjatë krizës së migrimit të vitit 2015, duke nxitur mbështetje për politikanët e së djathtës së skajshme që janë në favor të ligjeve më të ashpra mbi emigracionin.
Pjesëmarrja në votime ishte edhe më e lartë se në vitin 2013, kur ishte 74,9%. Kjo lidhet me luftën e ashpër elektorale mes socialdemokratëve dhe konservatorëve dhe akuzat e ndërsjellta.
Ekstremi i djathtë FPO ka arritur 26,8 për qind, nivelin më të mirë që prej vitit 1999.
Tre formacionet e tjera, të Gjelbërtit, partia liberale NEOS dhe lista e ekologjistit Peter Pilz, kanë shance të hyjnë në Parlament sipas rezultateve paraprake.
Basha uron fituesin e zgjedhjeve
“Sapo urova mikun tim, kryetarin e Partisë Popullore Austriake, Sebastian Kurz për fitoren në zgjedhjet e sotme parlamentare. Fitorja e tij pas nje beteje të fortë dhe fushate të shkëlqyeshme është një lajm i mirë për Austrinë, Europën dhe familjen tonë politike EPP - European People's Party. Me kancelarin e ri Kurz, Shqipëria do të ketë vëmendje dhe mbështetje më të fuqishme në sfidat jetike të demokracisë dhe integrimit europian”, deklaroi mbrëmjen e të dielës kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Ndaje me miqte