0030 210 33 18 483

Avramopoulos: Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është i largët

10 Mars 2015

Komisioneri për Migrim, ështje të Brendshme dhe Shtetësi,në Komisionin Evropian, Dimitris Avramopoulos, deklaroi në Prishtinë se “rruga e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është e largët”. Gjatë një konference për shtyp me ministrin e Brendshëm Skënder Hyseni dhe ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim ollaku, komisioneri Avramopoulos, tha se shumë shpejtë do të dihet edhe data kur Kosova do të marrë liberalizimin e vizave. Por, vijoi ai, për një gjë të tillë duhet të plotësohen kriteret. “Së shpejti do të jepet një lajm i mirë për Kosovën rreth liberalizimit të vizave. Rruga nuk është e largët, por normalisht duhen plotësuar kriteret”, tha Avramopoulos. Komisioneri Avramopoulos u prit në një takim edhe nga Presidentja Atifete Jahjaga, me të cilin bisedoi për dialogun për liberalizim të vizave, migrimin ilegal, konsolidimin e sundimit të ligjit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë. Presidentja Jahjaga theksoi se “prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit”. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave dhe se prioritet për të gjithë qytetarët pa dallim është integrimi në Bashkimin Evropian, prandaj vendi ynë duhet të ketë perspektivë të qartë evropiane. Sa i përket çështjes së migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve anëtare të BE-së, Presidentja Jahjaga e njoftoi Avramopoulos për angazhimet konkrete të institucioneve për ndërprerjen e kësaj dukurie. Komisioneri Avramopoulos, e përgëzoi Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj për të adresuar migrimin ilegal dhe vendosjen e dialogut të drejtpërdrejt me qytetarët. Ai theksoi se “Kosova është e sigurt në perspektivën e saj evropiane dhe pret që përmbushen të gjitha kriteret e përcaktuara që do të mundësojnë liberalizimin e vizave”. Ai tha se “po kthehet në Bruksel shumë më optimist për progresin e arritur në axhendën evropiane”. Komisioneri Avramopoulos u prit në takim edhe nga kryeministri Mustafa, gjatë të cilit biseduan për proceset integruese evropiane të Kosovës, si dhe çështje të tjera aktuale në Kosovë. Kryeministri Mustafa theksoi angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, duke shprehur nevojën e liberalizimit të vizave për kosovarët. Avramopoulos vlerësoi progresin në Kosovë duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Komisionit Evropian për Kosovën. Kryeministri Mustafa dhe komisioneri Avramopulos biseduan edhe për faktin se tashmë është vendosur nën kontroll fluksi i emigracionit, dhe për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës për menaxhimin e të kthyerve, duke veçuar fëmijët që kanë braktisur shkollat. Në këtë kontekst, kryeministri po ashtu veçoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve për punësim sezonal të kosovarëve në vendet e BE-së.

Ndaje me miqte