0030 210 33 18 483

BE: PostBrexit të përfundojë në 2020

ATSH- AFP 20 Dhjetor 2017

Komisioni Evropian propozoi që periudha e tranzicionit post-Brexit, që do të vijojë me largimin britanik nga BE më 29 mars 2019, të përfundojë në 2020, sipas rekomandimeve të shteteve anëtare të publikuara sot. “Dispozitat tranzitore (-) nuk duhet të zgjasin përtej 31 dhjetorit 2020”, shkruhet në këtë dokument. “Kjo periudhë tranzicioni duhet të jetë e shkurtër dhe e limituar në kohë”, këmbënguli kryenegociatori i Komisionit Evropian, Michel Barnier, në një konferencë shtypi. Kryeministrja britanike, Theresa May kishte propozuar një periudhë dyvjeçare maksimumi, deri më 29 mars 2021. Ky tranzicion do të garantojë për dy palët një Brexit të lehtë, por gjithashtu do t’u japë kohë të negociojnë për marrëdhënien e tyre të ardhshme, që do të marrë formën e një marrëveshjeje tregtare të përmirësuar. Kjo etapë e re ndodh disa ditë pas dritës së gjelbër të drejtuesve evropianë për hapjen e fazës së dytë të negociatave me Londrën. Rekomandimet mbi këtë tranzicion të paraqitur nga Michel Barnier do të miratohen në fund të janarit nga shtetet anëtare dhe negociatat me britanikët do të mund të hapen zyrtarisht. Evropianët kërkojnë që Britania e Madhe të vazhdojë të ndjekë gjatë periudhës së tranzicionit të gjitha rregullat e BE-së, pa marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes duke u bërë kështu zyrtarisht një shtet i tretë. Londra do të vazhdojë gjithashtu të përballet me politikën tregtare të BE-së, që e pengon të nënshkruajë marrëveshje të tregtare me vende të tjera.

Ndaje me miqte