BE gati për të kufizuar udhëtimin e lirë brenda zonës Schengen
13 Shkurt 2016
Bashkimi Europian është i gatshëm të pezullojë marrëveshjen Shengen dhe të lejojë kryerjen e kontrolleve kufitare brenda hapësirës së qarkullimit të lirë. Brukseli do ta argumentojë këtë masë me krizën e refugjatëve dhe problemet në kontrollin e kuifirit nga ana e autoriteteve greke.
Kështu ka bërë të ditur agjencia Associated Press, që thotë se ka parë dokumentet sekrete të ofruara nga një zyrtar i BE-së. Për shkak të karakterit konfidencial të dokumenteve, zyrtari ka kërkuar që të mbetet anonim, thekson agjencia.
Sipas agjencisë, dokumentet tregojnë se politikëbërësit e Unionit po përgatiten të përdorin për herë të parë një klauzolë të gjendjes së emergjencës, me argumentin se Greqia e ka të pamundur të mbrojë kufijtë e vet. Më shumë se 2000 njerëz mbërrijnë çdo ditë në ishujt grekë nga Turqia; shumica e tyre synojnë të vazhdojnë për në brendësi të Europës, në vendet më të pasura, si Gjermania dhe Suedia.
“Me flukset e emigrantëve të mbeten konstante, ndërsa koha po mbaron, ministrat e BE ranë dakord se e vetmja zgjidhje është zbatimi i nenit 26 të marrëveshjes Schengen”, thuhet në emailin që zyrtari europian i dërgoi Associeted Press-it.
Sipas nenit 26 të marrëveshjes Schengen, secili prej vendeve anëtare mund të vendosë në mënyrë të njëanshme kontrollin në kufijtë e vet për një periudhë deri gjashtë muaj, por ky afat mund të shkojë deri në dy vjet.
Associeted Press thotë se zyrtarë të qeverisë greke, që u pyetën mbi përmbajtjen e emelit, nuk pranuan të komentojnë “dokumente që nuk janë bërë publike”.
Të premten, Bashkimi Europian i bëri thirrje Greqisë që brenda tre muajve të korrigjojë deficencat në ruajtjen e kufirit të jashtëm. Në rast të kundërt Komisioni paralajmëroi se hapet rruga për vendosjen e kontrolleve në brendësi të zonës Shengen, çka sipas analistëve grekë do të thotë pezullim i Greqisë nga marrëveshja për zonën e qarkullimit të lirë.
Tribuna
Ndaje me miqte