0030 210 33 18 483

BLOOMBERG: GJERMANIA DO TE MARRE PARASYSH EDHE RENDESINE STRATEGJIKE TE GREQISE

18 Shkurt 2015

Rëndësia strategjike që ka Greqia për Bashkimin Europian mund ta bindë Gjermaninë të bëjë lëshime, po aq sa edhe argumentet ekonomike të kryeministrit Aleksis Tsipras për një marrëveshje të re ndihme ndaj vendit, vë në dukje agjencia Bloomberg. Analiza me titull “”Aleancat e pasluftës në Greqi tregojnë se Europa nuk ka për të humbur vetëm para”, shënon se vlera e Greqisë si anëtare e NATO-s dhe e porteve të saj në Mesdheun Lindor po rritet, teksa lufta në Siri, dështimi i shtetit të Libisë dhe armëpushimi i brishtë në Ukrainë, u shtohen tensioneve të vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të vet. “Me të drejtë do të shtronte ndokush pyetjen nëse Europa, SHBA dhe NATO do të mund të kenë luksin e krijimit të një vakuumi sigurie dhe një vrime të zezë në rajonin kritik”, i deklaroi agjencisë Bloomberg Thanos Dokos, drejtor i Fondacionit Grek të Politikës së jashtme dhe Europiane, duke shtuar se kjo ka gjasë mos të jetë një “humbje e pranueshme për një BE me ambiciet për të luajtur një rol të rëndësishëm botëror dhe rajonal”. Përpjekja diplomatike që e bindi Rusinë të ndalojë dhunën në Ukrainë u theksua nga marrëdhëniet shumë miqësore të zotit Tsipras me presidentin Vladimir Putin, nënvizon Bloomberg, duke vënë në dukje se këto i dërguan mesazhin kancelares gjermane Angela Merkel se forcat europiane rrezikojnë më shumë se 195 miliardë eurot e kredive të shpëtimit në konfrontimin e tyre me Greqinë. Ky rol mund të jetë armë më e fuqishme e kryeministrit grek në negociatat me pjesën tjetër të eurozonës, deklaroi ish zëvendësministri i jashtëm, Dimitris Kourkoulas. “Kjo ka gjasë të jetë karta e fundit negociuese që ka Tsipras”, deklaroi Kourkoulas në intervistën që i dha agjencisë Bloomberg.

Ndaje me miqte