Ballkani skena e manovrave të mëdha të gazit mes Perëndimit dhe Rusisë
AFP
17 Korrik 2017
Lufta e gazit në Ballkan është e heshtur, por kjo luftë e influencës mes Rusisë dhe Perëndimit ndikon në të ardhmen e këtij rajoni të brishtë të Evropës Juglindore, sipas ekspertëve.
Moska ka shënuar dështime në këtë rajon.
Sllav dhe ortodoks, Mali i Zi do të bëhet pjesë e NATO-s. Në Maqedoni, pushteti i ri socialdemokrat duket se po përpiqet të largohet nga qasjet proruse të pushtetit të djathtë të mëparshëm.
Nëse Evropa ka një avantazh të qartë përsa i përket investimeve në ekonomitë lokale, Rusia ka një mundësi, kartën energjetike.
Gazi përbën një të katërtën e konsumit energjetik të Bashkimit Evropian. Kjo, pasi në vitin 2016, gjiganti rus ”Gazprom” u shpreh se do të furnizonte një të tretën e gazit të konsumuar në Evropë.
Në Ballkan, varësia e gazit ka gjasa të rritet me uljen e prodhimit të energjisë nga centralet e karbonit, kërkuar nga Bashkimi Evropian.
Kroacia është tashmë anëtare e BE-së, vendet e tjera aspirojnë të bëhen dhe janë në stadet pak a shumë të avancimeve të procesit.
“Në problematikë më të gjerë të luftës së influencës mes Rusisë dhe Perëndimit, çështja energjetike është një faktor destabilizues në rajon”, thekson Timothy Less, kreu i qendrës së reflektimit “Nova Europa”, që këshillon investimet e huaja në rajon.
“Në Serbi, në Bosnje, në Bullgari dhe në Maqedoni, Rusia po përpiqet të transformojë varësinë e gazit në varësi politike me qëllim për të penguar integrimin në Perëndim”, nënvizon eksperti.
Beteja e gazsjellësve
”Për momentin, influenca ruse është ulur nga mungesa e infrastrukturës. Në mungesë të gasjellësve, gazi rus nuk mund të arrijë në pjesën më të madhe të vendeve të zonës”, thekson Less.
“Dhe perëndimorët shpresojnë të marrin nga Moska shpejtësi duke mbështetur rrjetet konkurrente”, shton ai.
“Ky rajon në juglindje të Evropës është në udhëkryq të korridoreve energjetike që lidhin Lindjen dhe Perëndimin”, shpjegon ish-ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Paskal Milo.
“Interesi i këtij rajoni nuk vjen nga potenciali ekonomik, por nga pozicioni i zonës së tranzitit drejt tregjeve të tjera strategjike dhe zonës së grumbullimit të gazit”, shton ai.
“Pas disa viteve, gjatë të cilave Rusia ka menduar se ka fituar betejën e energjisë, Perëndimi duket se po merr avantazh”, thekson Less.
Mbështetur nga Bashkimi Evropian, Trans-Adriatic Pipeline (TAP) parashikon të shpërndajë duke nisur nga vitit 2020 gazin azer që nga Turqia nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë duke kaluar Adriatikun, Italinë.
“Punimet kanë filluar në Shqipëri. Ky projekt do të mund të përmirësojë, madje në mënyrë minimale, sigurinë e gazit të Bashkimit Evropian”, thekson Nicolas Mazzucchi, nga Instituti francez i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe strategjike (IRIS).
Turqit në qendër të lojës
Kjo nuk mjafton për evropianët. Ashtu si amerikanët, ata po punojnë për një “rrugë periferike gazi” të Ballkanit “Ionian-Adriatic Pipeline” (IAP), që do të furnizonte Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kroacinë.
Shoqëruar me një terminal gazi në ishullin e Kërk, në veri të Kroacisë, ky projekt do të konkurronte ndjeshëm gazin rus.
Në muajin maj, shtatë vende, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, me mbështetjen e agjencisë amerikane USAID arritën një marrëveshje që parashikonte zhvillimin e rrjetit të transportit të gazit për të ulur varësinë përballë Rusisë.
Vetëm Serbia dhe Rumania nuk u përfshinë në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Si mund të kundërpërgjigjet Rusia?
Projekti “South Stream”, që do të transportonte gazin rus deri në Austri, u braktis në vitin 2014.
Projekti zëvendësues “Turkstream” u bë objekt i një marrëveshjeje në tetor të vitit 2016 me Ankaranë, në kuadër të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në vizitë në Turqi këtë javë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u shpreh optimist që ky gazjellës të lidhet me vendin e tij.
Por, analistët e vlerësojnë projektin teknikisht delikat. Do të duhet të shkosh dy kilometra në thellësi të Detit të Zi.
“Megjithatë, ai mbetet subjekt i rreziqeve të larta gjeopolitike”, sipas Igor Dekanic, profesor në Fakultetin e Gjeologjisë në Zagreb.
“Kjo varet nga marrëdhëniet mes Turqisë, Rusisë dhe Bashkimit Evropian, çështja e migrantëve të Sirisë-”, shton ai.
(Nga Lajla Veselica dhe Briseida Mema).
Ndaje me miqte