Barack Obama mban fjalimin e lamtumirës
Zëri i Amerikës
12 Janar 2017
Në fjalimin e lamtumirës, presidenti Barack Obama theksoi besimin e tij se ndryshimi ndodh vetëm kur "njerëzit e zakonshëm angazhohen dhe bashkohen për ta kërkuar atë". Ai e mbajti fjalimin në ?ikago, në qendrën e konventave McCormick Place.
"Ju kërkoj të besoni jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën”, tha zoti Obama.
Presidenti në largim u tha mbështetësve në ?ikago, qytetin ku ai nisi karrierën politike, se ndryshimi është "zemra e idesë sonë amerikane - e eksperimentit tonë të guximshëm për vetëqeverisjen”.
Zoti Obama tha se etërit themelues u dhanë amerikanëve lirinë për "t'i përmbushur ëndrrat tona me djersë, punë dhe imagjinatë”.
Zoti Obama iu rikthye mesazhit të fushatës së tij të parë për president në vitin 2008, parrulla e së cilës ishte "Yes, we can - Po, ne mundemi".
Në një moment, ai u ndërpre nga njerëz që brohorisnin "Edhe katër vjet!"
Obama u përgjigj, duke qeshur: "Këtë nuk mund ta bëj".
Tani që republikani Donald Trump është zgjedhur president, zoti Obama pranoi se përparimi i vendit ka qenë "jo i njëtrajtshëm". Ai tha se për "çdo dy hapa përpara, duket sikur kemi bërë një hap prapa".
Por presidenti tha se vendi përpiqet të "lëvizë përpara; që të zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme besimi ynë themelues për përfshirjen e të gjithëve, dhe jo vetëm të disave".
Zoti Obama tha se pas 10 ditësh bota do të jetë dëshmitare e një transferimi paqësor të pushtetit për një president të ri.
Presidenti në largim tha se shpresat se ardhja e tij në pushtet do të shënonte fillimin e një Amerike pa probleme racore "nuk ishin realiste".
Obama, i cili është 55 vjeç, tha gjatë fjalimit se ai ka jetuar mjaftueshëm për të mësuar se marrëdhëniet racore janë më mirë se sa ishin 30 vjet më parë. Por ai shtoi se e kupton gjithashtu që "nuk jemi aty ku duhej të ishim".
Ai tha se çështjet ekonomike nuk mund të karakterizohen si luftë mes të bardhëve punëtorë të shtresës së mesme dhe pakicave që nuk meritojnë përfitime.
Obama tha në fjalimin e tij të fundit si president se shumë familje në zonat urbane dhe rurale janë lënë pas dore. Ai pranoi se pabarazia e madhe dëmton parimet demokratike të vendit. Presidenti tha se shumë njerëz janë të bindur se qeveria u shërben vetëm interesave të të fuqishmëve.
Ai e quajti këtë një "recetë për më shumë cinizëm dhe polarizim të politikës."
Ai tha se i kishte premtuar presidentit të zgjedhur Trump se administrata e tij do të "sigurojë një kalim pushteti sa më të qetë", ashtu siç bëri për të paraardhësi i tij, presidenti George W. Bush.
Presidenti në largim tha: "Eshtë detyra e të gjithëve të sigurohemi se qeveria jonë mund të na ndihmojë në sfidat e shumta me të cilat përballemi".
Në fund të fjalimit, që ishte një lamtumirë por edhe një thirrje për t'u angazhuar, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një provë të ashpër të demokracisë së tyre.
"Demokracia ka nevojë të bazohet mbi njëfarë solidariteti," tha ai. "Pavarësisht dallimeve tona të jashtme, na bashkon një fat, sepse ne ngrihemi ose rrëzohemi të gjithë bashkë."
Presidenti shoqërohej nga Zonja e parë Michelle Obama dhe vajza e tyre e madhe, Malia si dhe nga Auma Obama, motra e tij nga Kenia.
Të pranishëm ishin edhe Nënpresidenti Joe Biden, gruaja e tij, Jill Biden, shumë anëtarë dhe ish-anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe ata që punuan për fushatat e tij.
Ndaje me miqte