Basha: 25 qershori e varrosi përfundimisht marrëveshjen e 18 majit
ATSH
12 Shtator 2017
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbajti sot fjalën e parë si kryetari i PD në Kuvendin e Shqipërisë gjatë debatit për Programin e Qeverisë së Re.
Basha deklaroi se, “para 4 viteve Edi Rama erdhi si kryeministër dhe shpalli 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, rend dhe siguri, ulje taksash, hapje të negociatave për anëtarësim me BE dhe të tjera premtime”.
Dje, tha Basha, “pas 4 vitesh rikthehet pa mbajtur asnjë premtim. Për këto ishin 4 vite ferri për shqiptarët. Ti kryeministër nuk dhe llogari. E di unë, e dinë shqiptarët, e di edhe ti nëse zgjedhjet do të ishin të lira ti nuk do të ishe ulur sot aty. Për mua dhe opozitën është ora të bëjmë bilancin e munguar. për shqiptarët është rikthyer ora e vetëdijes. Rama 1 është qeveria e parë që nuk ka sjellë asgjë për integrimin”.
“Rama I” është qeveria që shtoi borxhin ndaj biznesit; që nuk kreu asnjë investim, që nuk arriti të mbaronte as rrugët e mbetura, si By Pass-in e Fierit dhe miliona euro shkuan për fasada, zyra, mobilime. Eshtë qeveria e parë e akuzuar për kapje nga krimi. Madje, qeveritë e huaja i dhanë ultimatum të largonte Ministrin e Brendshëm të kapur nga Krimi. Rama I është qeveria që bëri që Shqipëria të shpalljen si vendi kryesor i trafikut të kanabisit dhe u fut zyrtarisht nga DASH, në listën e zezë të pastrimit të parave. Rama I është qeveria që rriti eksodin dhe e çoi në nivelet e Sirisë. Rama I është qeveria që marrëdhëniet me fqinjët i çoi në nivelet fillestare”, deklaroi Basha.
“Rama I e mbushi vendin me drogë dhe kjo nuk mbulohet dot nga askush. E mbushi parlamentin dhe administratën me kriminelë dhe kjo nuk mbulohet dot. Rama I i varfëroi dhe pastaj i njollosi shqiptarët duke iu blerë votën”, u shpreh Basha, duke shtuar se, “Opozita do të jetë në krah të njerëzve të thjeshtë”.
“Kjo mazhorancë fiktive kërkohet të lahet e shpëlahet nga të gjitha këto. Në fakt e kundërta vërtetohet çdo ditë. 25 qershori e varroi përfundimisht marrëveshjen e 18 majit. Unë dhe partia ime jemi kundër teje dhe do të luftojmë kundër aleancës së qeverisë me krimin dhe drogën. Unë jam në këtë betejë sepse e di se sa më të pasur të bëhen politikanët, aq më të varfër do të jenë qytetarët. Sa më të fortë trafikantët dhe oligarkët, aq më kokëulur shqiptarët e pamundur. Edi Rama, ajo që na ndan, është thelbësore. Kurrë më parë nuk ka qënë më e thellë diferenca ndaj dy forcave politike: aleancës tënde me krimin dhe tonës me vlerat”, u shpreh kreu i PD, Lulzim Basha.
Basha e kritikoi kryeministrin Rama se ka drejtuar qeverinë që solli eksodin më të madh të shqiptarëve, duke i barazuar me Sirinë. Ndërsa sa i takon marrëdhënieve fqinjësore, ai theksoi se, “takimet me batuta Rama-Vuçiç nuk kanë sjellë asnjë efekt, as zhbllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën”.
Më tej Basha përmendi edhe refuzimin e vizës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi; si dhe caktimin e Fatmir Xhafajt ministër të Brendshëm, kur vëllai i tij kërkohet nga drejtësia italiane për trafik droge.
“Nuk ka siguri për fëmijët tanë me Ruçin dhe Xhafajn. Për shkak të drogës ke penguar integrimin europian të vendit”, shtoi Basha duke iu drejtuar Ramës.
Për Bashën, që situata të ndryshojë duhet që kryeministri të shkarkojë elementët e inkriminuar në qeverinë e tij, qendrore dhe vendore. “Duhet të shkarkosh Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn, kryetarët e bashkive nga bota e krimit. I bën dot këto?”, ka shtuar Basha.
Ndaje me miqte