Basha: Buxheti i fundit i Edi Ramës fytyra e 4 viteve merrja shumicësjepja pakicës
TRIBUNA
30 Nentor 2016
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e cilësoi projektbuxhetin 2017 si antisocial dhe antipopullor, që i merr shumicës dhe i jep pakicës.
Grupi parlamentar demokrat në mbledhjen e radhës, diskutoi për qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare të ditës së enjte, ku do diskutohet në parim pr/buxheti i vitit 2017.
Në prononcimin për mediat, pas mbledhjes, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka parashikuar sërish rritje taksash ne buxhetin e ri.
“10 milionë dollarë më shumë ka planifikuar t’u marrë shqiptarëve, duke e çuar rritjen totale të taksave gjatë qeverisjes Rama në 430 milion dollarë në vit. Edi Rama, që tre vite më parë erdhi në pushtet se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa, u mori shqiptarëve në këto tre vite 1.5 miliardë dollarë më shumë, duke jua rritur taksat”, deklaroi Basha.
Sipas tij, edhe këtë vit, qeveria ka parashikuar 80 milionë dollarë shpenzime operative për institucionet e veta, ndërsa shtoi se rritja e pagave dhe pensioneve është më e vogël se sa inflacioni.
“Pagat dhe pensionet ka premtuar se do t’ua rrisë nga prilli i vitit të ardhshëm. Por sa po i rrit? Ndërkohë që ka ngrirë për tre vite pagat dhe pensionet, i ka rritur ato më pak se sa është rritur inflacioni. Me këtë rritje, një pensionist shqiptar do të ketë fuqi blerëse më të vogël se tre vite më parë, me 7% më pak. 15% më të vogël do ta ketë shqiptari mesatar fuqinë blerëse që varet nga pagat shtetërore. Në fund të qeverisjes së tij, njerëzit paguajnë më shumë taksa dhe marrin më pak”, deklaroi Basha.
Ai paralajmëroi se seanca e ditës së enjte nuk do të jetë ajo e shpalosjes së alternativës se opozitës, por do të jetë ‘autopsia finale e një regjimi hajdutësh dhe të korruptuarish që erdhën në pushtet me premtime të mëdha dhe sot i kane mbyllur dyert integrimit të vendit, dhe për këtë fajin e gjejnë tani tek opozita dhe tek media”.
I pyetur nëse opozita po negocion me qeverinë për ligjin e Vettingut, Basha ripërsëriti qëndrimin se kjo çështje po përdoret si pretekst nga Rama për dështimin e tij në moshapjen e negociatave.
Ndaje me miqte