Basha: Gati për debat të përmuajshëm në TV me Edi Ramën
TRIBUNA
02 Dhjetor 2016
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka bërë një propozim intersant të enjten në mbrëmje, në studion e emisionit Opinion të gazetarit Blendi Fevziu.
Basha tha se do të ishte shumë mirë për demokracinë që kreu i opozitës dhe kryeministri shqiptar të bënin një debat të përmuajshëm në TV.
“Do të ishte e vlefshme për demokracinë që kryeministri dhe kryetari i opozitës të bënin debat të përmuajshëm. Unë jam gati, ai nuk do”, tha Basha.
Basha në “Opinion”: PD, pro hapjes së negociatave
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të enjten se pengesë per çeljen e negociatave me Bashkimin Europian nuk është Vetting-u, por janë probleme të tjera si droga, krimi apo korrupsioni.
“Ka pasur probleme me ligjet që duhet të buronin nga Kushtetuta e rënë dakord me konsensus unanim,” tha Basha gjatë emisionit Opinion në Tv Klan.
Kreu i PD-së theksoi edhe një herë rekomandimet e kancelares Angela Merkel, se përveç pesë kushteve duhet të bëhet progres edhe në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe zgjedhje të ndershme.
“Opozita nuk ka pushtetin për të krijuar një realitet që e beson Merkel”- ka thënë Basha. Sipas tij, PD është pro hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE.
Basha theksoi se Partia Demokratike ka lindur si një parti pro Europës dhe ka lindur me sloganin ta bëjmë; “Shqipërinë si Europa”, ka dhënë kontributin e saj si në qeverisje dhe si tani në opozitë dhe qëndrimi i PD-së, si dhe qëndrimi im personal, nëse do të ishte në dorën time, do të ishte firmosja për hapjen e negociatave.
“Jetoj në Tiranë, jo në Holandë”
Basha tha se ai prej vitesh jeton në Tiranë. Sipas tij, akuzat e PS-së që thonë se jeton në Holandë, ja të pavërteta.
“Unë që nga viti 2005 jetoj në Tiranë. Fëmijët e mi mësojnë këtu, në shkollat e Tiranës. Këto akuza kanë qenë dhe janë të pabaza”, tha Basha.
“Mbështesim Nishanin për President. Jo koalicion me LSI”
I pyetur për dëshirën e kreut të Shtetit Bujar Nishani për të rikandiduar, Basha tha se PD është gati ta mbështesë.
“Meqenese Presidenti Nishani ka shprehur deshiren per te rikandiduar, ne do ta mbeshtesim ate”, tha Basha.
I pyetur për një emër në rast se mazhoranca kërkon President konsensual, Basha tha se është herët për të folur mbi këtë temë.
Lidhur me një koalicion të mundshëm me LSI-në, Basha tha se PD-ja nuk do t’i afrohet ish-partneres së saj në qeveri.
“Me Metën nuk ka koalicion. Madje, nuk ka patur asnjë flirt me të për mocion kundër Rames”, tha Basha.
Ndaje me miqte