Basha: Ja çfarë diskutova me palën greke
10 Korrik 2016
Kryetari i partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Athinë, ku u takua me liderin e opozitës greke, kryetarin e Demokracisë së Re (ND), Kyriakos Mitsotakis. Zoti Basha zhvilloi gjithashtu takime me grupin parlamentar të ND, me kryesinë e komisionit parlamentar të politikës së jashtme dhe deputetin Andreas Loverdos, një nga drejtusit kryesorë të PASOK-ut. Zoti Basha zhvilloi një takim edhe me kryesinë e degës së PD për Greqinë, ku morën pjesë edhe aktivistë të kësaj dege.
Në përfundim të vizitës së tij në Athinë, Lulzim Basha, bëri një prononcim të shkurtër për gazetarin Robert Goro.
PYETJE: Një nga temat kryesore ishte problematika e marrëdhënieve shqiptaro-greke. A mund të më thoni me ç’frymë u diskutua dhe cili ishte reagimi i palës greke?
BASHA: Vizita ime në Athinë është në kuadër të një turi që ka nisur me Berlinin, Romën e do të vazhdojë edhe në vende të tjera, në kuadër të formulimit nga PD të qëndrimeve të saj, jo vetëm si opozitës, por edhe si qeverisja e nesërme, për të ofruar zgjidhje që deri më sot kanë munguar, si në rrafshin dypalësh, ashtu edhe për integrimin europian të Shqipërisë.
Në këtë pikëpamje, gjatë qëndrimit tim në Athinë kam kërkuar dhe marrë mbështetje totale dhe jo vetëm nga ftuesi dhe interlokutori kryesor, kryetari i Demokracisë së Re Kyriako Mitsotakis, por edhe nga nga bashkëbiseduesit e tjerë, përfaqësues të maxhorancës në parlament, për axhendën e PD dhe për kërkesat e PD; për një mbështetje sa më të fuqishme nga ana e Greqisë në rrugëtimin europian dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, si dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të mbetura peng në dosjen dypalëshe, probleme që afektojnë drejtpërdrejt, cilësinë e jetës së shqiptarëve që jetojnë në Greqi, bashkëpunimin ekonomik në mes të të dy vendeve, apo çështje të tilla siç është anulimi i ligjit të luftës, e cila ka qenë një temë që unë e kam ngritur në të gjitha takimet në parlamentin helen, jo thjesht si një çështje perceptimi, por si një ngërç i madh dhe një mundësi për të shndërruar potencialin e madh dhe të pashfrytëzuar akoma të marrëdhënieve Shqipëri-Greqi në një luftë verbale, populiste, demagogjike: me shumë fjalë, por pa asnjë veprim, pa asnjë arritje.
Kjo duhet të ndryshojë dhe me PD do të ndryshojë. Vëmendja do të jetë tek veprimet, vëmendja do të jetë tek rezultatet. Rezultate sa i përket përmirësimit të mëtejshëm të pozitës së shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi, rezultate sa i përket qytetarëve çamë, mundësisë së tyre për të marrë pronat përmes një procesi të rregullt ligjor në Greqi, rezultate sa i përket bashkëpunimit ekonomik dhe mbi të gjitha rezultate sa i përket një fryme të re, europiane të bashkëpunimit midis Tiranës dhe Athinës, ku axhenda e bashkëpunimit të mos mbetet peng apo zgjatim i politikave të brendshme, por të reflektojë pikërisht inteteresin e përbashkët të dy vendeve, që sot janë bashkëpunëtorë, partnerë dhe aleatë në NATO dhe nesër do të jenë partnerë në BE.
PYETJE: Ju u keni bërë thirrje bashkatdhetarëve në Greqi që të marrin pjesë në votimin për zgjedhjet parlamentare, kurdo që të bëhen ato zgjedhje. Si e motivoni kërkesën tuaj që emigrantët të mbështesin PD.
BASHA: Unë do të kthehem shumë shpejt për një takim më të zgjeruar me bashkatdhetarët tanë në Greqi, të cilët ndajnë të njëjtat shqetësime si të afërmit e tyre në Shqipëri, të njëjtat shqetësime që ndan dhe opozita PD dhe unë personalisht për gjendjen e tmerrshme ekonomike, kolapsin ku e ka futur qeverisja aktuale me politikën e vet të kërbaçit e të haraçit, për gjendjen e pasigurisë të papunësisë e të varfërisë, por edhe për zgfjidhjet që PD propozon si rrugëdalje nga kjo krizë: zgjidhjet ekonomike, taksën e sheshtë, përmirësimin e klimës së biznesit, zgjidhjet e tjera që do të favorizojnë kjapitalin e emigrantëve shqiptarë në Greqi nëse investohet në Shqipëri. Në tërësi pra, për zgjidhjet që propozon PD dhe është gati të verë në jetë nesër për një ekonomi të fortë, dhe një të nesërme të sigurtë për shqiptarët në Shqipëri dhe për gjithë të arfërmit e tyre që punojnë e jetojnë në Greqi.
Ndaje me miqte