Basha: &ldquoJo kompetenca kushtetuese ndërkombëtarëve&rdquo
13 Korrik 2016
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike u shpreh të mërkurën unanimisht në mbështetje të propozimit te saj për procesin e vettingut, në kuadër të reformës në drejtësi.
Pas mbledhjes, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se diskutimi për këtë çështje përfundoi me një qëndrim unik, në mbështetje të këtij propozimi, i cili ka të inkorporuar 95 për qind të “propozimit hibrid”, të ofruar nga Victoria Nuland.
“Propozimi i PD-së, në thelb, ka të inkorporuar 95 për qind të “propozimit hibrid”, për të cilën biseduam me znj. Nuland, një propozim i ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, ku ne shprehëm shqetësimin tonë për mosreflektimin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias, për sa i takon rolit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe kapjes politike me duar të padukshme, u shpreh Basha.
Që nga dita e parë e kemi thënë se nuk do të ketë votë të opozitës, nëse nuk ka Mision Ndërkombëtar të Monitorimit, por jo kompetenca kushtetuese.
Kjo, sipas Bashës, për një arësye të thjeshtë. Nëse diçka nuk shkon mirë, apo shkon tmerrësisht keq, ku ta drejtojë gishin qytetari shqiptar tek kryeministri i Finlandës apo tek ai i Zvicrës? Nuk mund të ketë kompetenca kushtetuese pa pasur llogaridhënie kushtetuese, tha ai. Ne duam monitorim të fuqishëm, por jo ndërtimin e perdeve apo alibive, shtoi Basha.
Kreu demokrat gjithashtu konfirmoi vendimin e PD-së për arritjen sa më shpejt të një marrëveshje për reformën në drejtësi, duke e lënë të hapur negocimin me maxhorancën për këtë çështje. “Vullneti ynë është përtej çdo pikëpyetje, pasi ne duam të votohet reforma, sepse ajo është kthyer në një alibi të Ramës për të shtyrë llogaridhënien e qeverisë. Ndaj, rinovoj sot autorizimin e plotë për negociatorët tanë dhe kërkojmë nga Rama, që përtej muhabeteve, të autorizojë njerëzit e tij, duke qënë se formula është e njëjtë”, tha kryetari i PD-së.
Ndaje me miqte