Basha: Koalicioni opozitar i bashkuar nuk marrim pjesë ne zgjedhje
Tribuna
11 Prill 2017
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke folur pasditen e së hënës në “?adrën e Lirisë” deklaroi se koalicioni opozitar i bashkuar si asnjëherë tjetër, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa u garantuar se ato do të jenë të ndershme dhe të lira.
Më tej, Basha tha se, “Askush se ndal dot këtë levizje se atë e mbështesin miliona shqiptarë për të marrë në dorë fatët e tyre. Më lejoni që në këtë muzg të republikës së vjetër dhe të lindjes së republikës së re, të falenderoj shqiptarët që mbështesin kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po ashtu përshëndes aleatët e PD-së dhe të gjithë parti politike që mbështesin kauzën tonë dhe nuk janë pjesë e republikës së vjetër. Dita e firorës është afër, zoti bekoftë Shqipërinë”.
Në “?adrën e Lirisë” sot ishin të gjithë partitë aleate të opozitës që rikonfirmuan qëndrimin e tyre për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
E gjithë fjala e Lulzim Bashës:
Mirëmbrëma ju maratonomakë të lirisë, demokracisë dhe Republikës së Re që po vjen.
Një stacion i rëndësishëm i betejës së shqiptarëve të ndershëm, i shqiptarëve të lirë, për zgjedhje të lira e të ndershme ka mbërritur këtu në sheshin e lirisë, në sheshin e të drejtave themelore e qytetarëve të lirë, në sheshin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në sheshin e Republikës së Re dhe destinacionit të ri të Shqipërisë së re, të shqiptarëve të rinj.
Ju e dini se vendosmëria dhe qendresa për vlerat e vërteta e të rëndësishme në jetë, është gjithmonë rruga dhe vendimi i duhur, pavarësisht sakrificës që kërkon. Ndaj, dua tju falenderoj për përgjegjësinë e madhe qytetare, për shpirtin e pasfidueshëm të sakrificës dhe për kurajon tonë atdhetare që kemi dëshmuar në këto ditë, në këto javë, në këtë muaj e gjysëm dhe për gatishmërinë për të qendruar së bashku deri në fitoren përfundimtare të kauzës tonë.
Jemi përballur me shantazhe, me fyerje, me gjuhën e cinizmit të pashpirt që vendos interesat e një njeriu, apo një grushti njerëzish, mbi interesat e një populli të tërë, të djathtë e të majtë, gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, demokratë e socialistë. Por jemi përgjigjur ditë për ditë, e do ti përgjigjemi ditë për ditë, me të vetmen monedhë që njohin shqiptarët europianë; qendresën demokratike, qendresën paqësore, qendresën qytetare, për të vendosur për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare.
Muzgu i republikës së vjetër po bie. Agimi i një ditë të re shprese dhe ëndrash për çdo shqiptar, po lind.
Ne jemi sot këtu të gjithë bashkë me njëri tjetrin, me vullnetet tona, me zemrat tona, kemi marrë një perbetim që tejkalon kufinjtë e çdo partie politike, të çdo koalicioni, dhe është i madh, dhe i shtrirë sa vetë atdheu ynë, sa vetë fatet e Shqipërisë tonë, Shqipërisë moderne dhe europiane që dëshirojmë e do të kemi patjetër me fitoren e kësaj beteje.
Ne nuk e kërkuam këtë betejë. Por, këtë betejë na e dhanë ata që menduan se një popull i tërë mund të shkelet me këmbë, mund të poshtërohet, mund të vidhet, mund të mashtrohet dhe në fund fare, mund t’i mbyllet goja me zgjedhje të kapura, me zgjedhje fasadë, me zgjedhje të diktuara nga krimi që nuk janë gjë tjetër veçse vjedhja e të drejtës sovrane të një populli të lirë për të zgjedhur me votë e për të shkarkuar me vonë ata që qeverisin vendin.
Ne erdhëm në këtë betejë me një synim, me një premtim, me një vendim, që përmes një lëvizje paqësore, jo ti ndajmë, por ti bashkojmë shqiptarët në rrugën e nisur të lirisë së vërtetë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe sot, me gojën plot, dhe me zemrat plot, i shoh këtu të djathtë e të majtë, të përbashkuar deri në arritjen e fitores që na pret.
***
Kemi kërkuar dhe kemi bërë ftesë për dialog. Tash 5 ditë, presim që ky dialog të marrë formë dhe tash 5 ditë dora e shtrirë për një dialog demokratik e paqësor, të ndershëm, që ofron zgjidhje, refuzohet nga ai që është mësuar ti flasë popullit të vet, madje edhe anëtarëve të partisë së vet, me monologje shterpë e bajate që nuk japin zgjidhje, sepse refuzojnë të shohin e të njohin realitetin e tmerrshëm ku ndodhet sot vendi.
Por kurrë nuk është vonë. Edhe sot nga ky shesh ftesa ime, ftesa jonë, ftesa juaj është ti japim fund kësaj krize politike me një dialog në funksion të zgjidhjes, por se, zgjidhja kurrsesi nuk mund të jetë më shumë oksigjen për krimin, më shumë kohë për drogën, më shumë kohë për zullumin e korrupsionit qeveritar, por është e duhet të jetë zgjidhje, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një qeverie teknike me vullnet dhe mbështetje politike që do të kryejë vetëm detyrat e ngarkuara nga populli.
Nga ky shesh, i kemi thënë, i themi dhe do ti themi JO konfliktit, JO gjuhës së përçarjes, JO nxitjes së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Asnjë njeri i vetëm, nuk vlen sa bashkimi i shqiptarëve për Shqipërinë e nesërme.
Kjo ëndërr, është tepër e madhe për të qendruar në shpatullat e një njeriu të vetëm kushdo qoftë ky. Por, është plotësisht e mundshme tek mbështetet në shpatullat e miliona shqiptarëve që kanë vendosur përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të lira nga krimi, të lira nga droga, përmes zgjedhjeve me një qeveri teknike, të mbartin destinacionin e Shqipërisë së re përtej lumit të vjetër të republikës së vjetër me zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe korrupsioni.
Askush nuk e ndal dot më këtë lëvizje, sepse garant i kësaj lëvizje janë milionat e shqiptarëve të bashkuar dhe të vendosur për të marrë në dorë fatet e tyre, dhe për të shporrur njëherë e mirë embrionet, faren e së keqes ku shartohet krimi me politikën, mashtrimi me vjedhjen, përbuzja për popullin dhe arroganca ndaj qytetarëve. Këto po, duhet dhe do të marrin fund njëherë e përgjithmonë me Republikën e Re të shpresës dhe dinjitetit qytetar për çdo shqiptar.
Më lejoni në këtë muzg të republikës së vjetër dhe agim të Republikës së Re, të falenderoj qindra mijë shqiptarë që u bënë pjesë e kësaj lëvizje të paprecedentë në historinë tonë kombëtare, e cila ka vendosur flamurin dhe kauzën kombëtare të bashkimit të Shqipërisë moderne dhe europiane, si qëllimin e panegociueshëm, si shpresën që nuk vdes kurrë si fitoren e çdo shqiptari dhe shqiptareje.
E të falenderoj po kështu të gjithë faktorët politikë që kanë mbështetur dhe mbështesin tashmë këtë zgjidhje, faktorët politikë brenda koalicionit, koalicionit më të madh politik të partive opozitare, 27 prej të cilave ndodhen sot këtu të përfaqësuar nga kryetarët e tyre. Dua të falenderoj edhe ato forca politike që nuk janë pjesë e koalicionit të opozitës, por duan të bëhen pjesë e kësaj zgjidhje kombëtare, dhe udhëtimit tonë drejt Shqipërisë europiane dhe moderne.
Më lejoni t’i ftoj bashkëluftëtarët tanë në këtë lëvizje të madhe popullore kombëtare dhe qytetare për liri të vërtetë, për demokraci të vërtetë, për drejtësi të vërtetë, e tu drejtohem me fjalët e shpirtit duke i falenderuar me mirënjohje për mbështetjen e thellë shpirtërore dhe politike që i dhanë kauzës tonë. Dita e fitores është afër. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë bashkimin e shqiptarëve. Zoti e bekoftë Shqipërinë europiane.
Ndaje me miqte