Basha: Nisja e procesit te dekriminalizimit fitore për Shqipërinë SHBA dhe BE
TRIBUNA
21 Dhjetor 2016
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se nisja e procesit të ligjit të dekriminalizimit është një fitore për Shqipërinë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE.
Në një deklaratë për mediat pasditen e së mërkurës, Basha u shpreh se “sot filloi të jape frytet e para ligji i dekriminalizimit me një nga simbolet e krimit që është Elvis Roshi. “Ne luftuam në këtë betejë për Shqipërinë dhe shqiptarët, se besojmë se Shqipëria nuk ka të ardhme pa ndarë politikën nga krimi”, tha ai.
“Për qytetarët pesimistë, sot ka një mesazh se është një ditë për të besuar se e mira do ta mund të keqen. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është vetëm fillimi. Unë inkurajoj të gjithë institucionet që të procedojnë pa vonesë, në mënyrë që krimi dhe politika të ndahen përfundimisht nga njëri-tjetri. Eshtë një fitorë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për PD, një fitore për SHBA dhe BE”, tha Basha.
Më tej, Basha pohoi se “Përpara kemi një sfidë të madhe, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Edi Rama ka dëshmuar mungesën e vullnetit për ligjin e dekriminalizimit dhe reformën zgjedhore. Por, me nisjen e kësaj rruge të re të procesit te dekriminalizimit, me bashkimin e shqiptarëve, jam i sigurt që do ta fitojmë edhe betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
I pyetur për reformën në drejtësi dhe ligjin e Vettingut, Basha tha se ne presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me ankimimin e PD-së në Gjykatën kushtetuese për KLGJ dhe KLP, Basha tha se “reforma në drejtësi do të bëhet sipas konsensuesit të 2 korrikut, një drejtësi e pavarur dhe jo e kapur”.
Basha i pyetur për rastin e deputetit të PDIU-së i prekur nga ligji i dekriminalizimit, u shpreh se “PD dhe unë kemi qëndrim të qartë politik, çdo person, filluar edhe nga unë, duhet t’i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit”.
Ndaje me miqte