Basha: Platforma e opozitës kushti për zgjedhje të lira
TRIBUNA
12 Janar 2017
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas një takimi të mërkurën me drejtues të partive aleate, deklaroi se opozita parlamentare ka rënë dakord për një platformë, që është kushti i patejkalueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Sot kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare dhe kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin tonë për zgjedhjet e ardhshme. Qëndrimi i unifikuar i opozitës është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët, por qytetarët, nuk mund të vendosin varfëria dhe korrupsioni qeveritar, por vullneti i qytetarëve”, u shpreh Basha.
Ai paralajmëroi se zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit, korrupsioni, moszbatimit të dekriminalizimit dhe shitblerjes së votes, e amnistuar nga kryeministri Rama.
“Për këtë opozita ka paraqitur një platformë që nga 17 maji dhe që atëhere Rama vetëm ka sabotuar. Sot opozita është dakortësuar për një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në thelb të saj qëndron ajo se zgjedhjet nuk do t’i vendosin kriminelët, por qytetarët”, u shpreh kreu i PD-së.
Kreu i PD-se rikonfirmoi pikat kyçe të kësaj platforme qe janë: votimi dhe numërimi elektronik, financat e partive, mospërdorimi i resurseve të shtetit në fushata, në kundërshtim me ligjin, etj.
Basha tha se nuk ka më kohë dhe çështje më të rëndësishme për shqiptarët se sa kjo nuk mund të ketë. Ndaj opozita do ta kushtëzojë çdo lëvizje të mëtejshme me platformën për reformën zgjedhore, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai përshëndeti qëndrimin e LSI-së për të shkuar në zgjedhje me lista të hapura. “PD-ja nuk është pengesë për listat e hapura. Jam shprehur që çdo sistem zgjedhor fuqinë t’ua kalojë qytetarëve”, theksoi Basha.
I pyetur për ligjin e dekriminalizimit, i ankimuar së fundi në Gjykatë Kushtetuese, kreu i PD-së, e konsideroi aktin “një atentat ndaj demokracisë dhe një përpjekje që do të dështojë me turp”. “Ne jemi të pakënaqur nga zbatimi i ngadaltë i ligjit të dekriminalizimit”, shtoi ai.
Ndaje me miqte