Basha: Qytetarët po marrin në dorë fatet e tyre
Tribuna
16 Mars 2017
Opozita vijon protestën në çadrën e ngritur para kryeministrisë që prej 18 shkurtit. Në fjalën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se asgjë nuk është më si më parë që nga 18 shkurti i lavdishëm i lëvizjes popullore dhe asgjë nuk do jetë më si më parë sepse qytetarët po marrin në dorë fatet e tyre.
Kryedemokrati akuzoi se qeveria e Ramës është një fasada, e cila punon vetëm për interesat e një grupi të vogël njerëzish.
“Kjo ditë e 26-të e qëndresës historike të kësaj lëvizje popullore na ka mbledhur për të diskutuar të vërtetat e Shqipërisë, ashtu siç është. Pedagogët, arkitektët, inxhinierët e dalluar na kujtuan fenomenin e fasadës. Fasada është emri i kësaj qeverisje. Eshtë e vërteta e hidhur me të cilën përballen shqiptarët”, u shpreh Basha.
Sipas tij, fasada nuk është thjesht një mekanizëm gënjeshtër ndaj shqiptarëve, fasada është hajdutëria e republikës së vjetër.
David Mc Allister, mesazhe të qarta për politikën shqiptare
Lulzim Basha tha se, David Mc Allister, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, dha dje mesazhe të qarta për politikën shqiptare.
Në një postim në faqen e tij ne Facebook, pasditen e së mërkurës, kryetari i PD-së Basha ka publikuar një video, ku shkruhet: “David McAllister, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian: Shqipëria duhet të plotësojë 5 kushtet për antarësim në BE. Opozita duhet forcuar. Nuk duhet të ketë demokraci pa opozitë. Cilësia e demokracisë varet nga të drejtat e opozitës. Në demokraci është normale të ketë ndryshime pushteti”.
Ndaje me miqte