0030 210 33 18 483

Basha: Sot vdes 25 qershori dhe politika që mban pushtet të vjedhur.

Tribuna 27 Janar 2018

Largimi i qeverisë si dhe krijimi i një qeverie anti mafia për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme si kusht themelor për integrimin evropian, ishin 2 nga pikat e përmendura përpara protestuesve nga kreu i PD, Lulzim Basha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më poshtë vijon e plotë fjala e kryetarit të PD: Zonja dhe zotërinj, Vëllezër e motra, Mirë se keni ardhur në këtë plebishit madhështor, Mirë se jeni bashkuar për të shpallur sot së bashku vendimin e madh popullor të kësaj gjykate popullore për Edi Ramën dhe bandën e tij në pushtet. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuaj thellë e ma thellë!” Kështu e përshkroi Migjeni zgjimin e një populli për të parë dramën e tij. Një vit më parë, qindra mijëra shqiptarë u mblodhën në këtë shesh për të ndalur të keqen. Qindra mijëra të tjerë na panë nga larg, duke shpresuar se e keqja nuk ishte e vërtetë. Sot, ne që jemi këtu shumë më shumë se në 18 shkurt, por edhe ata që qëndruan larg, e shohim qartë se e keqja është e vërtetë! E keqja nuk ikën vetë. E keqja nuk ikën po nuk u luftua. E keqja nuk ikën po nuk u bashkuam të gjithë kundër saj. Dhe ja ku jemi bashkuar sot, në këtë plebishit madhështor nga më mëdhenjtë që ka njohur historia e demokracisë. Mirë se keni ardhur zonja dhe zotërinj në këtë orë të madhe dhe vendimtare të bashkimit të popullit kundër të keqes. Mirë se keni ardhur në këtë shesh të historisë dhe të së ardhmes, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, studentë dhe pedagogë, profesionistë, intelektualë dhe të papunë, të përndjekur dhe pronarë, fermerë dhe sipërmarrës, naftëtarë dhe minatorë, ambjentalistë, prindër dhe fëmijë, nga Jugu në Veri, anembanë Shqipërisë! Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim: Për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës! Rama ik! Për të shpallur solemnisht se ne nuk e pranojmë më këtë bandë që i shërben vetëm interesave plaçkitëse të një grushti njerëzish të pasuruar duke vjedhur dhe grabitur shqiptarët dhe duke e shndërruar Shqipërinë tonë të dashur në çerdhe të krimit të organizuar dhe drogës. ?do e keqe, çdo e keqe, çdo hall dhe padrejtësi që ndodh sot në Shqipëri, çdo mynxyrë që rëndon mbi shpinat dhe tavolinat tuaja nga varfëria tek falimentimi, nga pasiguria tek depresioni, nga papunësia tek eksodi, nga taksat e larta tek çmimet e papërballueshme, nga shpërfillja tek arroganca, të gjitha, burojnë nga një e keqe e madhe: zgjedhjet e blera, qeveria e paligjshme. Kur pushtetin e merr me vota të blera, nuk ndjen asnjë përgjegjësi për njerëzit e thjeshtë, për hallet e tyre, për jetët e tyre dhe të ardhmen e tyre. Qeveria e paligjshme e votave të blera, shkel dhe dhunon të drejtat dhe liritë e njerëzve të thjeshtë sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi për ta. Sa më shumë ta lemë, aq më keq për Shqipërinë, për shqiptarët. Ndaj sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshuara, nëna e baballarë, dëshmoni këtu me këtë prani gjigante dhe madhështore fundin e raporteve të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit. Me këtë protestë, me këtë demonstrim madhështor, opozita dhe qytetarët shpallin dhe vendosin një raport të ri, një raport të vërtetë. Një raport të ri dhe të vërtetë mes forcave politike, por mbi të gjitha një raport të ri mes qytetarëve të lirë dhe pushtetit të krimit. Sot vdes 25 qershori. Sot mbaron dhe merr fund politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet qytetarëve dhe vullnetit të tyre. Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria e Edi Ramës ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës. Deri dje e dinin vetëm disa. Sot e dinë të gjithë shqiptarët. E kanë parë mbarë bota. Ndaj sot duke iu kthyer poetit tonë kombëtar, dua të shpall në emrin tuaj se sot kemi zgjedhur të mos vuajmë thellë e më thellë. Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë për ta larguar. Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj në cilin do bunker të jetë futur sot. Bëjeni ta dëgjojë mesazhin tuaj sot, tani : Rama ik! At Zef Pllumi na mësoi se i mjerë është ai popull që nuk ia del me i zotnue bijtë e vet të këqij. Vendi ynë, kjo Shqipëri ka patur bijtë e saj të këqij, por edhe mes tyre pak kanë qenë ata që vunë në jetë projekte kaq antikombëtare për pushtetin e tyre. Kjo po ndodh sot. Në Shqipëri po zbatohet një projekt, një komplot antikombëtar, aniteuropian, antidemokratik, për pushtetin absolut të një njeriu të vetëm mbi të gjithë Shqipërinë. Për pushtetin e tij, ky njeri ka bërë ortakëri me krimin, me oligarkinë dhe mercenarët e pangopur. Shqipëria e Edi Ramës i ngjan shteteve të falimentuara të Afrikës dhe të Azisë. Sepse vetëm në një vend si Guinea ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës dhe larjen e parave. Vetëm në një vend si Nikaragua ndodh që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale me milionat e drogës. Vetëm në diktaturat e Afrikës ndodh që ministri i Brendshëm të jetë edhe i pari i trafikut të drogës. Vetëm në Venezuelë ndodh që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës. Vetëm në Afganistanin e opiumit ndodh që vëllai i kreut të ekzekutivit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës. Sot, Edi Rama i ka arritur të gjitha këto rekorde të zeza. Parti, qeveri, polici, ushtri, dhe drejtësi në shërbim dhe në përfitim të trafikut të drogës. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo nuk është Shqipëria që meritojmë. Atyre që për këto krahasime më thonë se nuk është e denjë për një ish-ministër të Jashtëm dhe shef diplomacie ju them se thika ka arritur ku nuk mban dot më, ka arritur në palc të shqiptarëve, ndaj dua t’i them çdo miku shqiptar dhe të huaj, çdokujt që i do të mirën këtij vendi: Kjo nuk është Shqipëria europiane , kjo është Shqipëria e drogës, e krimit. Kjo është një diktaturë orientale. Ne e refuzojmë! Nuk e duam dhe nuk e duam Shqipërinë e standardeve të falimentuara të Afrikës dhe të Azisë. Unë jam kryetari i një partie që ka ndodhur me thirrjen “ E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Pengesa e vetme, barrikada e vetme për Shqipërinë europiane është kjo bandë e cila për pushtetin e saj absolut po përqëndron në pak duar të gjithë pushtetin politik dhe ekonomik të vendit. E cila po zbaton një politike eksodi, zbrazjen dhe shkretimin e Shqipërisë; Izolimin ekonomik dhe politik të vendit, që askush mos ta konkurrojë apo rrezikojë pushtetin e tij. Hidhni vështrimin dhe shikoni si po shpaloset ky projekt: Pasuritë publike dhe fondet publike i rrëmbejnë oligarkët, me PPP, me koncesion, me korrupsion. Shëndetësia, arsimi, nafta, bregdeti, parqet çdo gjë që duhet t’u shërbente shqiptarëve po grabitet nga oligarkët e Edi Ramës. E gjithë toka e Shqipërisë iu është vënë në dizpozicion drogës, dhe i gjithë shteti u vu në shërbim të trafikut të drogës, burrat dhe gratë në uniformë janë sot kokëulur. Sepse një kupolë kriminale i sundon, që synon t’i kthejë në një organizatë kriminale, hamej me paratë e dorgës u blenë zgjedhjet. Me paratë e drogës tani po blihet ekonomia e shqiptarëve, Investitorët e huaj u injoruan, u mbajtën larg. Ata që ishin në Shqipëri u rrahën, u dhunuan dhe u përzunë që oligarkët dhe kriminelët të mos kishin konkurrencë. Qeveria e dëbimit të qytetarëve i nxori tepër shqiptarët në vendin e tyre si asnjëherë tjetër. Qindra mijëra shqiptarë janë larguar këto 4 vite. Ky është dëbim. Nuk është lëvizje e lirë. Shqipëria kështu vdes. Ne nuk mund të pranojmë këtë. Integrimi në Bashkimin Europian po sabotohet sepse futja në Europë është rrezik për pushtetin politik dhe kriminal të Edi Ramës. Njerëzit e thjeshtë po shpërfillën, përçmohen, trajtohen me arrogancë dhe dhunohen. Për t’i frikësuar, Për t’i bërë të pafuqishëm, për t’jua ulur kokën Mbi ta po rëndojnë taksat e rritura, çmimet dhe faturat që nuk ndalen dhe dënimet e gjobat e zyrtarëve të shtetit që sillen si plaçkitës. Mbi shqiptarët sundon papunësia, sundon varfëria. Mbi shqiptarët rëndon padrejtësia, standardi i dyfishtë i Ramës që dënon të varfrin dhe të dobëtin, mbron kriminelin dhe hajdutin. Kujtojmë sot në këtë shesh 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës, që Edi Rama e arrestoi dhe u çoi në vetëvrasje për një cigare hashash. Për Saimir Tahirin dhe Habilajt që janë kapur me miliona nga trafiku i drogës, po Edi Rama ka ngritur shtetin në këmbë që t’i mbrojë. Kujtojmë sot Melita ?enga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Resmije Alla 35 vjeçare që humbi jetën sepse donte që fëmija e saj azmatik të kishte dritë se nuk kishte mundësi të paguante. Qindra pacientë presin më kot ilaçet e premtuara por që nuk vijnë. Sepse Edi Rama i paguan vetëm Vilma Nushit 20 mijë euro në ditë nga taksat e shqiptarëve. Kujtjmë sot Qamil Zelën, të burgosur, të vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHE-së, Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, të cilët Edi Rama i çoi drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por Besos dhe miqve të tij ju fal miliona euro të shqiptarëve, taksa dhe pasuri tuaja. Kjo është mafia qeveria, ky është narkoshteti që burgos dhe dhunon të varfërit dhe mbron e u bëhet mburojë kriminelëve dhe trafikantëve. Rama ik! Për njerëzit e thjeshtë qeveria Edi Rama sot ka vetëm dy zgjedhje: eksod ose nënshtrim. Ose të marrin rrugët e botës, i patë vëllezërit dhe motrat tona në çadrat e Francës. Ose t’i nënshtrohen kësaj bande mizore plaçkitëse, e veshur me rrobat e babagjyshit të Vitit të Ri, që i grabit, i varfëron, i tall dhe i dhunon. Në vend të pushtetit të njerëzve, Edi Rama i do njerëzit janë skllevër të pushtetit. Skllevër të oligarkëve. Skllevër të krimit. Skllevër të mashtrimit Skllevër të së keqes. Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe. Ne jemi sot këtu për ta ndalur këtë të keqe që ekonomia e Shqipërisë të mos mbetet në duart e oligarkëve grabitqarë dhe të kriminelëve. Që qeveria mos të jetë një vegël në shërbimin e tyre. Që fatkeqësia dhe mjerimi i një brezi mos t’i trashëgohet brez pas brezi. Shqipëria mos të shkretohet nga braktisja. Në të shkuarën tonë ne jemi gënjyer shpesh nga e keqja. Në të shkuarën tonë ne e kemi duruar dhe toleruar gjatë të keqen derisa e keqja na ka rrënuar. E vërteta duhet thënë ashtu sicc është. Në të shkuarën ne kemi besuar lehtë. Jemi gënjyer lehtë. Dhe nuk kemi menduar gjatë. Sot në ditën botërore të Holokaustit është e udhës të kujtojmë thënien ogurzezë të Hitlerit: Sa fat i mirë për qeveritë kur njerëzit nuk mendojnë! Por sot jemi këtu për ti dhënë përgjigje narko-kryeministrit se ne mendojmë, se ne reagojmë, se ne jemi ngritur. Ja ku jemi Me këtë bashkim i tregojnë botës dhe njëri tjetrit se kemi vendosur: Ti japim fund gënjeshtrës dhe mashtrimit të madh të mafias në pushtet! Të refuzojmë dhe të përballemi me pushtetin e të keqes derisa ta largojmë. Rama ik! Dhuna është mjeti kryesor i mafias në pushtet. Dhuna e shtetit, dhuna e varfërisë dhe dhuna e rrugës. Nga dhuna e narko-kartonëve në Kuvend që dhunojnë Kushtetutën, tek dhuna e taksidarit dhe inspektorit që rrënon biznesin e vogël, nga dhuna e policit që arreston denoncuesin dhe ndihmon kriminelin, tek dhuna e krimit mbi të gjithë. Mafia në pushtet shpenzon çdo muaj miliona euro për të gënjyer, për të mashtruar, për të keqinformuar, për të shpëlarë mendjet e njerëzve. Mafia në pushtet ka ngritur makinerinë më të madhe e të kushtueshme të propagandës që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Mafia në pushtet shet çdo ditë të zezën për të të bardhë dhe sulmon këdo që e sheh dhe tregon të zezën. Propagandë me para droge që t’u mbushë mendjen shqiptarëve se policia bëhet duke veshur kriminelët me uniforma firmato policie. Se avionët e drogës janë mushkonja dhe kanabisi që shikonin kudo imagjinatë dhe jo realitet. Se trafikantët, vrasësisit dhe përdhunuesit janë deputetë dhe kryebashkiakë që punojnë dhe sakrifikojnë për Shqipërinë. Se gjelbërim është të zësh parqet me kulla betoni dhe të mbjellësh bar në tarracë. Se oligarkët grabitqarë janë bamirës që punojnë për Shqipërinë. Mafia në pushtet paguan ccdo ditë ushtrinë e mercenarëve që i shërbejnë për t’i llustruar faqen e saj të zezë. Mercenarë të pacipë që politikanin dhe ministrin në shërbim të krimit e shesin për njeri që po lufton krimin! Që autokratin që dhunon ligjet e mbajnë për lider që po bën drejtësi! Që dallkaukun oriental të Ballkanit t’ia shesin botës si mall europian. Mercenarët që stabilitetin e krimit e shesin për stabilitet demokratik. Mercenarët që sot propagandojnë se të gjithë janë njësoj, se droga ka qenë gjithmonë këtu se krimi ka qënë gjithmonë mes nesh, se të gjithë paskan faj njësoj. Edhe kriminelët, edhe të dhunuarit. Por shqiptarët tani shohin qartë. Shqiptarët tani mendojnë dhe gjykojnë vetë. Shqiptarët po e mposhtin frikën, po e mposhtin propagandën, po shpërfillin mercenarët. Shqiptarët e kanë kuptuar se drejtësia nuk është një copë letër dhe fjalë në ajër, por ndëshkim i vërtet për peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit. Shqiptarët e dinë se në Shqipëri nuk ka drejtësi sa kohë Saimir Tahiri dhe qeveritarët e tjerë të lidhur me drogën dhe krimin janë në pushtet dhe jo në burg. Shqiptarët e kuptojnë se në Shqipëri nuk luftohet krimi, kur kokat e drogës dhe të organizatave kriminale bredhin të lirë dhe kur paratë e drogës nuk i pengon askush të bblabërojnë ekonominë e shqiptarëve. Shqiptarët e dinë se ekonomia është e shkatërruar kur ata nuk gjejnë punë. Shqiptarët e dinë se shëndetësia është e shkatërruar kur të sëmurët nuk kanë ilaçe. Shqiptarët e dinë se po varferohen; e dinë se nuk paguajnë dot dritat, ujin dhe ushqimin e fëmijëve të tyre. Shqiptarët e dinë se në BE nuk integrohesh duke integruar rrjetet e drogës dhe të krimit por duke integruar ligjet, ekonominë, dijet. Shqiptarët e dinë se në Europë do të futen, kur të fusin kriminelët në burg. Shqiptarët e dinë se nuk ka as drejtësi, as siguri, as punësim, as të ardhme me banditët në qeveri. Nga ky shesh zëri ynë është i qartë: Ne duam drejtësi të vërtetë dhe të barabartë për të gjithë. Ne e duam Saimir Tahirin para drejtësisë, pa imunitet, i duam ministrat dhe politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin në burg. I duam kriminelët e drogës, të trafikut të qenieve njerëzore, të gjobvënies dhe shantazheve në burg. Ne duam një qeveri të dalë nga vota e lirë. Sepse vetëm kështu do të kemi një qeveri të lirë nga krimi dhe nga oligarkia. Ne, të gjithë shqiptarët duam mundësi për të punuar dhe ndërtuar. Ne duam mundësi për sipërmarrjen. Ne duam të çmontojmë monopolet dhe oligarkinë. Ne duam një ekonomi që prodhon mirëqenie për të gjithë. Një shoqëri me dinjitet për të gjithë. Ne duam një shoqëri europiane dhe një Shqipëri në Europë. Ne e duam Europën, sepse ne duam vlerat e Europës: Ne duam drejtësinë që ka Europa, duam lirinë dhe dinjitetin që ka Europa, duam qeverisjen e Europës. Nuk e kërkojmë Europën duke kërcënuar, nuk e kërkojmë Europën duke shantazhuar: Ne, shqiptarët e ndershëm të bashkuar në këtë shesh e kudo që jemi, e kërkojmë Europën sepse jemi të aftë, plot besim dhe të jetojmë dhe punojmë me nder dhe me mund si të gjithë europianët. Prandaj shpallim sot këtë vendim për të qendruar ndaj të keqes, dhe të luftojmë për të mirën. Sot jam para jush, Jo për të kërkuar pushtet për vete, por shtet të drejtë për të gjithë. Jo për tu bërë vetë kryeministër, por që kushdo që të jetë kryeministër, shqiptarët të jenë më mirë. Unë nuk po kërkoj ta marrim pushtetin me manipulim dhe forcë, por unë kërkoj që njerëzit të jenë të lirë për të zgjedhur pushtetin që duan. Vitet e fundit kanë qenë një përpjekje e madhe për mua dhe demokratët: me arritje dhe me zhgënjime. Por një gjë ka qenë e pandryshuar: Ne kemi zgjedhur gjithmonë të jemi në anën e njerëzve dhe të interesit të tyre. Ne kemi zgjedhur të jemi me Dritan Zaganin, kur të tjerët e quanin tradhtar dhe mbrojnë sot e kësaj dite Saimir Tahirin dhe habilajt. Ne kemi zgjedhur të denoncojmë dhe të luftojmë kriminelët në Qeveri, Bashki e Kuvend, kur ky që i solli, bën biznes dhe qeveris me ta. Ne kemi zgjedhur të luftojmë kundër drogës, kur ky paguhet me paratë e drogës për të na sulmuar, dhe për të blerë pushtet e pasuri. Ne nuk jemi lëkundur asnjëherë në zgjedhjen tonë. Nuk do lëkundemi as tani. Ne demokratët do të luftojmë për atë që kam luftuar këto katër vjet: një shoqëri europiane, një shoqëri të denjë, ku sundon drejtësia, arsyeja dhe mirëqenia për të gjithë. Por kjo nuk është vetëm beteja e demokratëve, nuk është vetëm beteja ime apo vetëm e opozitës që është e bashkuar për të arritur objektivin e kësaj kauze të madhe. Kjo është beteja e të gjithë shqiptarëve. Prandaj jemi bashkë këtu dhe në të gjithë Shqipërinë. Bashkë do të sjellim drejtësinë, integrimin dhe përparimin e vendit tonë. Klika sundon mes frikës, përccarjes dhe propagandës. Po të qendrojmë kështu bashkë, po të vazhdojmë kështu bashkë, koha e së keqes do të numërohet mbrapsht me shpejtësi të madhe. Për ata që pyesin: Cfarë strategjie keni? Unë ju them sot: strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDER kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia. Për ata që pyesin cfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJE FJALE: FITORE! FITORE FITORE „?? me çdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj! Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë! Le të bashkohemi në këtë betejë pa kthim, në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Ne jemi shumica. Ne jemi shqiptarët e ndershëm që nuk do ta ulim më kokën para së keqes. Rama ik! Ju ftoj të gjithë si jemi bashkë të përshëndetemi këtu me njëri tjetrin. Unë do të jem në mesin tuaj e të vazhdojmë kështu të demonstrojmë forcën e pathyeshme të kësaj beteje popullore kundër krimit. Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti bekoftë shqiptarët! Fitore!

Ndaje me miqte