Basha e Mitsotakis angazhohen për forcimin e marrëdhënieve ShqipëriGreqi
09 Korrik 2016
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe homologu i tij grek, shefi i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, janë angazhuar për thellimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.
“Konsideroj se ka hapësira të mëdha që marrëdhëniet greko-shqiptare të përmirësohen më tej”, ka deklaruar pas takimit të zhvilluar në Athinë, kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis.
“E kam mikpitur me gëzim të madh liderin e opozitës shqiptare. Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë tradicionalisht marrëdhënie miqësore dhe vlerësimi reciprok. Konsideroj se ka hapësira të mëdha që këto marrëdhënie të përmirësohen më tej.
Qindra mijëra qytetarë shqiptarë jetojnë e punojnë në Greqi, shumë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë greke dhe prandaj interesimi ynë si parti, por edhe vëmendja për marrëdhëniet greko-shqiptare duhet të jenë shumë energjike.
Dua t’i uroj mikut tonë të mirë suksese në zgjedhjet e ardhshme dhe besoj se në personin e tij shohim një lider i cili simbolizon të ardhmen e Shqipërisë”.
Lulzim Basha ka theksuar se është e rendësishme qe të trajtohen në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe të zgjidhen duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian. Në këtë kuadër, Basha shtroi anulimin e ligjit të luftës, si një çështje zgjidhja e të cilës do të kishte një impakt shumëplanësh pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.
Zoti Basha i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie të cilat ndikojnë edhe në lehtësitë dhe përmirësimin e kushteve të bashkëkombasve tanë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek.
Në të njëjtën frymë kanë qenë edhe takimet në parlamentin grek, me grupin parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, si dhe me kryesinë e komisionit të politikës së jashtme.
Kryetari i partisë Demokratike u takua edhe me shefin e grupit parlamentar të PASOK-ut, Andreas Loverdos, si dhe me ish ministren e jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis.
Në këto takime zoti Basha shoqërohej nga anëtari i kryesisë së PD, Tritan Shehu dhe kryetari i degës së PD për Greqinë, Fatmir Gjoçi.
Tribuna
Ndaje me miqte