Basha komenton zgjedhjen e Ilir Metës si president: &ldquoRepublika e vjetër nisi si pazari i ngjalave dhe u mbyll si pazari i peshkut&rdquo
Lulzim BASHA
30 Prill 2017
Pazari i republikës së vjetër u kurorëzua me zgjedhjen e presidentit, me caktimin e presidentit nga pazari i Pazarit të Ri. E dua demokracinë, thotë presidenti i sapo zgjedhur, dhe ja, po e shijoj demokracinë. Por kjo nuk është demokracia e vërtetë. Pazari mbi shishet e verës, që kushtojnë më shumë se pensionet e një qyteti të vogël, për të zgjedhur presidentin nuk është demokraci e vërtetë. Nuk përfaqëson as vullnetin e popullit dhe as gjendjen kritike të përplasjes sociale dhe krizën politike në vend.
Ky është thjesht dhe vetëm kapitulli i fundit i pazarit politik të republikës së vjetër, mekanizmit që ka mbajtur në këmbë dhe ka ushqyer tash 4 vite këtë komplot ekonomik që ka zhveshur shqiptarët nga fuqia blerëse, që ka shpunësuar bijtë dhe bijat e tyre. Që ka bërë prindërit të paguajnë tarifa më të larta për universitetet, që ka dergjur pacientët dhe familjet e tyre në një sistem shëndetësor të falimentuar. Që ka krijuar një shtet të falimentuar, të korruptuar e të inkriminuar deri në palcë.
Ky është akti i fundit i teatrit me kukulla, i pazarit politik, i modelit që mbajti në këmbë republikën e vjetër tash 4 vite. Duke mbyllur njëherë e përgjithmonë jetën e saj me këtë akt politik, republika e vjetër po mbyll turpshëm ekzistencën e saj dhe barrën e saj tashmë të papërballueshme e të padurueshme për qytetarët shqiptarë.
Ilir Meta e di këtë. Edhe Edi Rama e di këtë fare mirë. Ai më kot dhe i dëshpëruar u përpoq të thoshte dje se Ilir Meta është një president më afër PD-së se sa partive të tjera. Le ti themi sot, se për ne, Partinë Demokratike dhe gjithë qytetarët që na besojnë, Ilir Meta është vetëm afër pazarit të peshkut që është qelbur nga koka ndaj Edi Rama ta gëzosh ti, atë, dhe peshkun e qelbur nga koka.
Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pazare të fëlliqura politike. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë për pushtetin tonë. Ne nuk kemi ardhur në këtë betejë as që tu sigurojmë luksin disa deputetëve të opozitës që ta kenë edhe nga një karrige për 4 vitet e ardhshme. Ne kemi ardhur në këtë betejë për një mision të madh qytetar dhe kombëtar, dhe ky mision është të zëvendësojmë qeverisjen e kontrolluar nga krimi dhe droga me një qeverisje të kontrolluar nga qytetarët shqiptarë.
Që qeverisja të kontrollohet nga qytetarët shqiptarë, ne duhet dhe do të kemi vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të votojnë të pashitur e të pablerë, të pakërcënuar dhe të pavënë në rresht nga një shtet kriminal dhe i dështuar, i bërë njësh me partitë në pushtet. Prandaj e vetmja rrugë për për zgjedhje të lira dhe të ndershme është largimi i Edi Ramës, një qeveri teknike me mandat popullor dhe politik, për të luftuar drogën, për të larguar kriminelët dhe për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
***
Sot, vetë procesi elektoral ka kolapsuar edhe në kuptimin ligjor të fjalës. Mbrëmë në mesnatë, ka skaduar afati i fundit i Kodit Zgjedhor për dorëzimin e listave emërore të kandidatëve për deputetë të atyre partive që ishin regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Bëhet fjalë kryesisht për partitë e pushtetit, për partinë e Edi Ramës dhe partinë e Ilir Metës. Deri tani, asnjë prej këtyre partive kryesore të pushtetit nuk kanë dorëzuar listat emërore të kandidatëve. Me këtë akt, dhe sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në këtë moment është asgjesuar 18 Qershori si një datë ligjore për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë.
Atë, që kjo lëvizje dhe ky bashkim qytetar, e ka asgjesuar përmes qëndresës demokratike dhe paqësore, atë që ju e keni asgjesuar politikisht mbrëmë në mesnatë, dy partitë duke mos dorëzuar listën e tyre shumëemërore, e kanë asgjesuar edhe ligjërisht. Natyrisht në këto katër vite, jo zbatimi i ligjit por shkelja e tij ka qënë tipari i kësaj qeverisje dhe me siguri tellalët do të dalin sot me lloj-lloj justifikimesh e interpretimesh, se pse data nuk ishte dje, por ishte sot. Nuk kam ndërmend dhe nuk ju ftoj ta ndiqni këtë shfaqje të shëmtuar. Fakti është se data ka skaduar. Fakti është, po kështu, se këta nuk duan tia dinë as për ligj, as për Kod Zgjedhor dhe as për Kushtetutë. Ndaj, është në dorën tonë të vazhdojmë së bashku.
Dy janë mundësitë para nesh.
E para që republika e vjetër të vazhdojë avazin e saj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Gjerat do të shkojnë keq e më keq me një tjetër parlament dhe një tjetër qeveri të zgjedhur, jo nga populli, por nga krimi, droga dhe paratë e korrupsionit. Ftesa ndaj opozitës, Partisë Demokratike dhe meje personalisht dhe presioni ndaj nesh ka një qëllim; që të bëhemi pjesë e këtij pazari të fëlliqur, alibi dhe perde për një proces zgjedhor të paracaktuar nga krimi dhe droga.
Ne i kemi thënë jo. Unë i them jo e do të vazhdoj ti them jo deri në fund.
Rruga tjetër para nesh, është të vazhdojmë këtë betejë për votën e lirë, themelin e bashkëjetesës demokratike.
Kjo është një sakrificë tashmë 71 ditore. Unë nuk mund t’ju premtoj se sa më shumë do të zgjasë kjo sakrificë. As nuk mund tu premtoj se mund ta bëj këtë betejë më të lehtë apo më luksoze për ju. Por unë, ju premtoj ju, këtu në këtë shesh, para sakrificës që keni bërë deri më sot, para këtij bashkimi qytetar dhe para Zotit të madh se, në qoftëse jemi të bashkuar, nëse jemi të vendosur, nëse jemi të frymëzuar nga i vetmi interes i lartë patriotik, kombëtar dhe demokratik, për të siguruar me çdo kusht vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë, ju do të fitoni, Shqipëria do të fitojë.
Eshtë në dorën tuaj, por edhe fitorja do të jetë e juaja dhe e mbarë shqiptarëve.
Ndaje me miqte