Basha komunikon me Merkel e informon për konsensusin e reformës
TRIBUNA
20 Korrik 2016
Kryetari i Partise Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Kancelaren Federale të Gjermanisë Angela Merkel.
Sipas njoftimit për shtyp të Partisë Demokratike, në fillim të bisedës zoti Basha e informoi Kancelaren Merkel për arritjen e konsensusit për draftin kushtetues të reformës në drejtësi.
Zonja Merkel e përgëzoi zotin Basha për kontributin e tij dhe lidershipin e treguar ne procesin e arritjes se konsensusit, si një kontribut madhor për Shqipërinë dhe shqiptaret. Kancelarja gjermane shprehu bindjen se zbatimi me sukses i reformës në drejtësi do të jetë një ogur i mbarë për integrimin dhe të ardhmen Europiane të Shqipërisë dhe e siguroi zotin Basha për mbështetjen e saj të plotë dhe të gjithanshme.
Zoti Basha shprehu mirenjohjen e thellë për mbështetjen e jashtzakonshme të Kancelares Merkel dhe Gjermanisë ndaj Shqipërisë, në sfidat e rrugëtimit të saj Europian, dhe në procesin e reformës në drejtësi dhe e garantoi atë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë promotore e të gjitha proceseve reformuese duke u udhehequr nga parimet dhe vlerat Europiane. Beteja e Partisë Demokratike në procesin e reformës në drejtesi ka qënë prej fillimit e deri në kurorëzimin e saj me sukses, një betejë për standardet dhe parimet Europiane dhe Perendimore të demokracisë, shtetit ligjor dhe për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, theksoi zoti Basha.
Në këtë kuadër, sfida më e madhe që Shqipëria ka përpara, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, theksoi zoti Basha. Kancelarja Merkel e siguroi kreun e opozitës shqiptare për angazhimin dhe ndihmën e saj dhe të Gjermanise për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ndaje me miqte