Basha mbyll fushatën në Korçë dhe Elbasan: Republika e Re ka mbështetjen e Gjermanisë ekonomia kryefjalë
ATSH
23 Qershor 2017
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbyllur fushatën elektorale në Elbasan, ku deklaroi se Republika e Re është vendimi i madh i shqiptarëve të dielën.
Ai tha se “Rama kthehet sërish me të njëjtat premtime si katër vite më parë. Ai nuk gjeti dot tre shqiptarë të punësuar dhe i ngelën tre manekinë nga internet. Ky është Edi Rama me premtimet e pambajtura, rikthehet me të premtime të tjera pa plan”.
“Të dielën nuk kemi nevojë për fjalë boshe, nuk kemi nevojë për lule dhe bojëra por ekonomi, pra të dielën votojmë për ekonomi. Shumë prej qytetarëve nuk e kanë ndarë mendjen kë të votojmë, nuk e kanë të qartë se cila do të jetë e ardhmja e vendit dhe prandaj po ua themi sot se, të dielën duhet të votoni planin ekonomik të ndërtuar me ndihmën e Kancelares Merkel, që së bashku me liderët e BE-së, ka uruar fitoren e thellë të PD”, tha Basha.
Kreu i PD ftoi të gjithë shqiptarët që në 25 qershor të votojnë masivisht për ti mbyllur derën njëherë e përgjithmonë bandave.
Ai tha se vota për numrin 6-të është vota për rritjen e ekonomisë dhe uljen e taksave.
‘Ora e bandave mbaron në 25 qershor. Bashkë do ta çlirojmë, unë do ta shtyp krimin dhe do tu liroj nga ai. Ka ardhur ora të ndërtojmë institucione ekonomike për të nesërmen e sigurtë për çdo shqiptar. Kudo që shkoj të gjithë janë të bashkuar, opozita, demokratët por edhe socialistët e zhgënjyer nga premtimet e pambajtura nga Edi Rama’, deklaroi Basha.
Basha nga Korça: Republika e re, republika e taksave të ulëta dhe e ekonomisë së fortë
Basha tha se nga Korça ushton zëri dhe forca e fitores dhe lindjes së Republikës së Re, Republikës së taksave të ulëta dhe ekonomisë së fortë.
Sipas Bashës, fitorja e 25 qershorit do të jetë si ajo e 1992-it.
“Partia Demokratike solli demokracinë për shqiptarët, anëtarësoi vendin në NATO. PD o ktheu shqiptarëve dinjitetin dhe u dha mundësinë për të udhëtuar të lirë në Europë pa viza.Pikërisht kjo parti kërkon të rikthehet fuqishëm me një program të qartë, ngritjen e ekonomisë dhe institucionit ekonomik në Shqipëri. Kam ecur me kilometra të tërë dhe njerëzit anembanë janë gati të votojnë PD, si në vitin 1992. Të gjithë duan ekipin tonë fitues dhe planin tonë ekonomik. Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me prioritetet e gabuara të Edi Ramës, që shkatërrojë shpresën e vendit”, tha Basha.
Ai tha më tej se “nga institucionet ndërkombëtare del e vërteta, 56% e shqiptarëve duan të largohen nga ky vend. Ai jo që nuk lëvizi në drejtimin e duhur, por shkoi drejtë shkatërrimit të së ardhmes së vendit. Sot ai del me tre manekinë të dalë nga interneti. Njeriu që nuk mbajti premtimin e madh të 300 mijë vende pune, nuk gjeti dot dy shqiptarë për të nxjerrë në një kartolinë dhe i merr nga interneti. Por ai do dënohet për këtë dhe gjithçka ka bërë në këto katër vite. Shqiptarët janë zgjuar, janë ngritur dhe janë bashkuar, ashtu si edhe Korça sot për ti dhënë besimin Republikën e Re. Shqiptarët nuk mund të votojnë për të njëjtat premtime, që morën katër vite më parë. Rama nuk ka më ç’ti thotë shqiptarëve dhe kërkon të gjithë tepsinë për vete. Katër vite me radhë thotë unë, unë, unë- Por ai bëri vetëm qejf, teka dhe nuk mendoi për shqiptarët. Unë unë unë, tha katër vite rresht, dhe bëri vetëm fasada, kulla pa vlerë, palma të vyshkura dhe s’di më ç’tu thotë shqiptarëve”.
Gjithashtu, Basha tha se “tani Rama nuk thotë më unë, por ka kaluar tek ata, sikur të ishim ne në pushtet. Ai i rriti taksat, ai braktisi fermerët, kush i rriti tarifat për universitetin, kush i veshi me pushtet kriminelët. Kush harxhoi qindra e mijëra euro për të rregulluar zyrën e tij dhe la pa bukë shqiptarët, kush e futi Korçën dhe vendin në depresion. Ja pra këtë bëri Rama, që kishte katër vite kohë dhe harxhoi 16 miliardë euro për qejfet e veta, lojëra, ekspozita dhe harrojë shqiptarët”.
“Me Ramën taksat do të rriten, me Ramën varfëria do të ngrihet. Me mua taksat do të ulen dhe ekonomia shqiptare do të rritet. Nuk do të pasurohen më oligarkët, por shqiptarët”, tha Basha nga Korça.
Ndaje me miqte