0030 210 33 18 483

Basha në Gjirokastër e Sarandë: Ekonomia është katastrofë vetëm Edi Rama nuk e kupton. Ne do të ulim TVSHnë dhe vendosim taksën e sheshtë

Tribuna 31 Maj 2017

Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka qenë në Gjirokastër e Sarandë dy ditët e fundit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit. Duke marrë fjalën në “qytetin e gurtë”, Basha tha se ekonomia është përtokë ndërsa Rama pretendon se fajin e kanë njerëzit që nuk e ndjejnë rritjen ekonomike. “Edi Rama thotë se punët janë mirë por populli nuk e kupton. Edi Rama thotë se ekonomia është mirë por populli nuk e ndjen. farë është kjo?! Shaka?! Se po të jetë shaka është shaka pa kripë. Eshtë shaka në kurriz të njerëzve. E vërteta është ndryshe. E vërteta është se ekonomia është katastrofë. Që gjendja e vendit është e mjeruar por Edi Rama nuk e kupton sepse Edi Rama nuk jeton në realitetin e shqiptarit të zakonshëm. Edi Rama jeton i rrethuar në fluckën e tij të fasadave, të ekspozitave, të palmave, të vizatimeve. Për të Shqipëria nuk janë shqiptarët por pllakat, shatërvanet dhe palmat. 600 milionë euro për fasada. Këtë vendosi Edi Rama. Por kjo nuk i shërbeu Shqipërisë sepse Shqipëria janë shqiptarët”, tha Basha. Lideri demokrat ftoi Ramën në debat televiziv për t’iu dhënë shqiptarëve përgjigjet që kërkojnë. “Po të them prap këtu nga sheshi “erçiç Topulli” në Gjirokastër, po të ftoj në debat të drejtpërdrejtë televiziv. Eja dhe tregoju shqiptarëve se shqiptarët kanë pyetje për ty, kanë pyetje për mua. Por leri shqiptarët të na pyesin ato që duan të dinë, jo barcaletat dhe shfaqet e estradat që bën ti ditë për ditë dhe pyetja e parë është; ku i ke 300 mijë vendet e punës. Pyetja tjetër është ku e ke shëndetësinë falas. Ku i ke 97% e shqiptarëve që paguajnë më pak taksa? Jepu shqiptarëve atë që u takon, llogaridhënie nga ty, llogaridhënie nga unë, gjykimin e kanë ata me votën e 25 Qershorit. Eja në debat. Eshtë kulturë demokratike të debatojmë përpara shqiptarëve që ata të gjykojnë. Ndaj përgjigju. Kam 48 orë që të ftoj në debat. Përgjigju pozitivisht. Caktojmë ditën, caktojmë orën, caktojmë vendin. Ta hapim për shqiptarët debatin, të rikthejmë demokracinë e vërtetë, pa estrada, pa teatër kukullash, pa batuta, pa barcaleta, me fakte si është situata, çfarë përgjegjësish ke, i bëre apo nuk i bërë premtimet me të cilat i more votat në vitin 2013”, tha Basha. Lulzim Basha u shpreh se do të jetë kreministër i shqiptarëve të thjeshtë, jo i ekraneve, fasadave dhe plamave. Ai tha se program i demokratëve është bërë nga eskpertët më të mirë të kancelares gjermane Merkel. Ndaj tha Basha, nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Ai tha se prioriteti numër një do të jetë ekonomia, vendet e punës dhe mirëqenia e shqiptarëve. Shtet i fortë është kur ekonomia është e fortë, kur qytetari është i fortë Duke çelur fushatën në qytetin e Sarandës, Basha tha se nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë. Por një ekonomi e fortë do të thotë, qytetarë me mundësi për punë, dhe mirëqënie. “Fare i ri pata mundësinë të studioj në një nga vendet më të përparuara e të zhvilluara demokratike, me ekonomi të fortë, në Holandë. Por kudo ku kam qënë, kam parë se një shtet demokratik me ekonomi të fortë e bën qytetari i fortë, sipërmarrësi i fortë, sindikatat e forta, fermeri i fortë, dhe jo kryeministri i fortë. Kryeministri krekoset, qytetarët zvarriten. Ky nuk është shtet i fortë. Ky është shtet i falimentuar, shtet i shkatërruar. Nuk ka politikan të përgjegjshëm që pretendon se po bën shtet kur shqiptarët po varfërohen, kur çmimet rriten ditë për ditë, kur papunësia rritet, kur shëndetësia është në pikë të hallit. E mbani mend të gjithë se çfarë premtoi para 4 vitesh. Premtoi 300 mijë vende pune por vende pune nuk hapi. Premtoi ulje taksash por taksat u rritën. Premtoi uljen e çmimeve dhe çmimet janë më të larta. Fermerët i la në mes të baltës. Premtoi rend dhe siguri. E mbushi Shqipërinë me drogë dhe mori Eskobarin në qeveri. Rend dhe siguri me Eskobarin në qeveri, ky është bilanci i Edi Ramës”, tha Basha. Kryetari i opozitës tha se e vërteta është ndryshe nga sa thotë Edi Rama. “Dje tha se ekonomia po rritet por populli nuk e kupton. E vërteta është krejt ndryshe. Edi Rama, ekonomia është katastrofë. Je ti që nuk e kupton se ke humbur çdo lidhje me realitetin e njerëzve të thjeshtë. Je futur në moçal dhe bashkë me një tufë njerëzish, hani e pini në moçal dhe i keni zënë tokën e bukës një populli të tërë. Ndaj 25 Qershori është dita për ta tharë moçalin e për të larguar njëherë e mirë këta grabitcarë. Demokracia nuk mund të vazhdojë të jetë moçali ku fryhen e majmen një grusht politikanësh. Nuk mund të jetë më ku jetojnë e bëjnë para vetëm një grusht politikanësh dhe njerëzit e lidhur me ta. Që të jetë demokraci, duhet të funksionojë për çdo qytetar. Që të jetë demokraci e vërtetë, duhet ti krijojë mundësi çdo qytetari, të jetojë me punën e tij, me punën e saj të ndershme. Ky është premtimi i Republikës së Re”, tha Basha. Basha u shpreh se do jetë kryeministri i shqiptarëve, i halleve dhe problemeve të tyre. Garancia është programi i tij i hartuar nga ekspertët e kancelares gjermane Merkel. “Unë do të jem kryeministri i halleve tuaja, i problemeve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Unë do të jem kryeministri i qytetarëve, kryeministri i ekonomisë dhe për këtë unë vij para jush me një program ekonomik i cili ka vulat e eskpertëve më të mirë të Europës, eskpertëve ekonomik gjermanë, pjesë e skuadrës së Partisë tonë simotër Unionit Kristiandemokrat të Angela Merkel e cila po kështu konkuron këto zgjedhje e po kështu do t’i fitojë këto zgjedhje si ne në Qershor. Me programin ekonomik, me vulat gjermane, vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë. Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet dhe do të hapë vende pune. Kjo është, ekonomia e fortë, prioriteti im numër një dhe realiteti i Republikës së Re”, tha Basha.

Ndaje me miqte