Basha në Vlorë: Ndryshimi nuk do të ndalet
TRIBUNA
14 Shkurt 2017
Kreu i demokratëve Lulzim Basha në Vlorë, ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit.
Basha mori ide dhe sugjerime lidhur me protestën e 18 shkurtit e cila sipas tij është vetëm fillimi i një lëvizje mbarëpopullore, lëvizje që do të sjellë një ndryshim të madh në vend.
Pasi dëgjoi edhe shqetësimet e të rinjve lidhur kryesisht me papunësinë, kryedemokrati Basha i ftoi vlonjatët të ngrenë njëzëri problemet e tyre përpara Kryeministrisë më 18 shkurt, ku do të nisë edhe lëvizja mbarëpopullore e cila do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.
“Ata që pritën më kot 300 mijë vende pune, ata që shpresuan shëndetësi falas, ata që donin të dërgonin djemtë dhe vajzat e tyre në universitete më cilësore me tarifa të përballueshme, e dinë fare mirë pas katër vitesh se vende të reja pune nuk ka, se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, dhe se të çosh fëmijët në universitet është më e shtrenjtë. Taksat janë rritur, faturat e energjisë janë më të larta, të ardhurat kanë rënë, po kështu edhe fuqia blerëse”, tha Basha.
Për t'i dhënë fund braktisjes nga qeveria, kryedemokrati i kërkoi çdo vlonjati të mos ketë frikë të kërkojë atë çfarë i takon. Ndryshimi vjen përmes njerëzve, përmes guximit dhe lirisë dhe sipas Lulzim Bashës, rinia është motorri i çdo lëvizjeje madhështore.
“Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për t'i thënë ndal arrogancës së pushtetit, për t'i thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”, shtoi Basha.
Ndaje me miqte