Basha pas takimit me Nuland: Konsensusi na çon drejt reformës në drejtësi
10 Korrik 2016
Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, zhvilloi të dielën një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një prononcim për mediat pas takimit, Basha tha se në fokus të dikutimit ishte reforma në drejtësi. “Vetëm konsensusi na çon drejt miratimit të reformës në drejtësi që është në të mirë të të gjithëve”, tha Basha.
Kryetari i PD-së informoi se e njohu zyrtaren amerikane me propozimet e opozitës për reformën në drejtësi, ndërsa ritheksoi qëndrimin e demokratëve për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
“Diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera, padyshim këto propozime do të jenë pjesë e rrugës së zgjidhjes. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88, që reforma të miratohet me konsensus. Rrugë tjetër nuk ka”, deklaroi Basha.
Duke nënvizuar kontributin e jashtëzakonshëm thelbësor që PD ka dhënë për reformën në drejtësi, Basha tha se “PD ka bërë tre propozime”. “Propozimi i parë që ka qenë ai i SHBA-së dhe BE-së, për vendet e rezervuara, që është hedhur poshtë. I dyti, propozimi i listave alternative të formalizuar përmes draftit të miratuar nga grupi parlamentar i PD-së dhe së fundi propozimin tonë të tretë, i bërë publik të premten nga zoti Bylykbashi. Ne jemi të bindur se kjo reformë mund dhe do të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për reformën në drejtësi përveç konsensusit politik mes palëve. PD ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e mëparshme por duke mbetur besnike 100% e rekomandimit 88 të Venecias”, shtoi Basha.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e çmuar të zonjës Nuland dhe angazhimin e saj për Shqipërinë. “Jam i sigurt që do të vazhdojë ta bëjë këtë rol”, u shpreh Basha.
Takimi i diplomates amerikane me liderin e PD-së u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë, ndërsa Basha shoqërohej në këtë takim nga deputeti Oerd Bylykbashi, i përfshirë prej muajsh në procesin e reformës në drejtësi, si dhe deputeti Aldo Bumçi.
Victoria Nuland, zyrtarja e lartë e DASH zhvilloi të dielën një vizitë disaorëshe në Tiranën, në kuadër të një turi europian. Përgjatë javëve të shkuara, Nuland ka pasur kontakte të vazhdueshme me kreun e PD-së për të mësuar mbi ecurinë e reformës së konsideruar jetike për Shqipërinë, por edhe për propozimet e opozitës.
Basha, bashkëbisedimi me gazetarët
Pyetje: Znj.Nuland e ka marrë përsipër një rol negociatori në këtë mes dhe a ju ka premtuar që do të gjejë një konsensus me palën tjetër?
Basha: Zonja Nuland ka një rol të çmuar që prej ditës së saj të parë të angazhimit me Shqipërinë. Jam i sigurt që do të vazhdoj ta ketë rol, jam i bindur dhe shumë mirënjohës për rolin e saj. Por unë nuk mund të flas dhe as nuk mund të bëj zëdhënësin e zonjës Nuland.
Pyetje: Z.Basha po thoni që jeni i bindur për kompromis,do të thoni që e përjashtoni mundësinë e dështimit të reformës në rast se nuk bëhen votat?
Basha: Thashë që kjo reformë mund dhe do të kalojë vetëm me konsensus politik.
Pyetje: Z.Basha a pati propozim konkret nga znj.Nuland?
Basha: Pati, diskutuam mbi bazën e propozimit tonë dhe propozimeve të tjera. Padyshim këto propozime do të jenë pjesë sa na përket ne e rrugëzgjidhjes. Ajo që mbetet për tu konfirmuar është vullneti i palës tjetër. Pala jonë ka një propozim mbi tavolinë, ka vullnetin të diskutojë këtë propozim.
Pyetje: Cilin?
Basha: Propozimin tonë atë që bëmë publik ditën e premte. Të diskutojmë mbi bazën e këtij propozimi. E vetmja kërkesë që kemi është që të mbetemi brenda suazës së rekomandimit 88 për t’i dhënë Shqipërisë një reformë në drejtësi me konsensus politik. Rrugë tjetër nuk ka.
Ndaje me miqte