Basha përshëndet fitoren e Trump. Bindje për forcimin e marrëdhënieve me SHBA
TRIBUNA
09 Nentor 2016
Kryetari i Partisë demokratike Lulzim Basha ka përshëndetur fitoren e kandidatit republikan, Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Para gazetarëve, Basha ka theksuar se fitorja e kandiudatit republikan është “një mësim i çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara, populli amerikan i dhanë sot mbarë botës, Europës, Shqipërisë dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët”.
“Unë ndodhem sot këtu për t'i përcjellë përmes ambasadorit Donald Lu, Presidentit të zgjedhur Donald Trump urimet më të përzemërta në emrin tim, në emrin e demokratëve shqiptarë, të djathtës shqiptare, të opozitës shqiptare, dhe jam i bindur të shumicës dërrmuese të shqiptarëve për zgjedhjen e ti si President i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, deklaroi Basha dhe vazhdoi:
“Ky është një mësim i çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara, populli amerikan i dhanë sot mbarë botës, Europës, Shqipërisë dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët. Dhe ky është një mesazh veçanërisht i çmuar në këto ditë të errëta për demokracinë shqiptare. Eshtë një mesazh kuptimplotë që kam një besim të madh se do të frymëzojë edhe këtu në Shqipëri një bashkim të qytetarëve me besim të madh te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund dhe nuk do të mposhtet nga asnjë makinacion dhe nga asnjë aleancë kundër interesit qytetar. Interesi qytetar triumfon sa herë që qytetarët janë të bashkuar”.
“Në fund të fundit vendimi është i popullit amerikan, populli amerikan ka vendosur.
Urimet më të përzemërta Presidentit të zgjedhur Donald Trump!”, theksoi Basha.
Lideri i opozitës shqiptare shprehu bindjen se fitorja e Donald Trump do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA.
“Jam i bindur që zgjedhja e tij dhe marrja e detyrës nga ana e tij në muajt e ardhshëm do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të shërbejë patjetër për forcimin dhe rimëkëmbjen e demokracisë shqiptare”, përfundoi deklaratën e tij Lulzim Basha.
Ndaje me miqte