Basha takim me Lu dhe Borchardt: Opozita e vendosur për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme
TRIBUNA
31 Janar 2017
Ambasadori amerikan, Donald Lu dhe ai i OSBE-së, Bernard Borchardt janë takuar të martën me kryetarin e PD, Lulzim Basha, ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe zgjedhjet parlamentare.
“Zhvillimet e fundit, ku ministra të qeverisë kanë konfirmuar problemet e ngritura nga opozita për kriminalizimin e qeverisjes, të shtetit, të pushtetit lokal, të policisë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, faktet e dala për lidhjen e figurave kryesore të mazhorancës me kokat e krimit të organizuar, janë dëshmi e fuqizimit të krimit dhe mosshkëputjes së mazhorancës nga krimi”, ka pohuar Basha
Po ashtu, refuzimi për të pranuar votimin dhe numërimin elektronik, është provë e qartë e mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bëri të qartë ambasadorëve se opozita është e vendosur të bëjë gjithçka për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.
Votimi dhe numërimi elektronik, tha Basha, është e vetmja rrugë për kthimin e besimit tek vota e lirë.
Të njëjtën rëndësi për të siguruar zgjedhje të lira, shtoi Basha, ka edhe zbatimi i dekriminalizimit, liria e medias, dhe transparenca mbi financat e fushatës zgjedhore.
“Zgjedhjet e lira e të ndershme, janë një nevojë jetike për stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë”, theksoi Basha.
Ndaje me miqte