Basha takon Merkel: Mbështetja e kancelares për Shqipërinë e palëkundur
TRIBUNA
08 Dhjetor 2016
Kryetari i Partisë Demokratike(PD), Lulzim Basha, me ftesë të Kancelares Angela Merkel, mori pjesë në punimet e Kongresit të CDU-së, në Essen të Gjermanisë.
Basha bën të ditur se gjatë punimeve të Kongresit pati mundësinë të bisedoj me Kancelaren Merkel. “E falenderova atë për ndihmën ndaj Shqipërisë dhe shpreha nevojën që ka vendi ynë për mbështetjen gjermane jo vetëm për integrimin në BE, por edhe për të luftuar krimin, korrupsionin dhe për të garantuar demokracinë në vend”, u shpreh Basha. Dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët, nënvizon ai, se mbështetja e kancelares Merkel për Shqipërinë dhe shqiptarët do të jetë e palëkundur.
Kryetari i PD-së, pas pjesëmarrjes në Kongresin e CDU-së, u ndal në Bruksel për t’u takuar me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, të Partisë Popullore Europiane, eurodeputetë, etj. Në qendër të bisedimeve të kreut të opozitës do të jenë sfidat që Shqipëria ka në raport me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
“PD dhe unë jemi fare të qartë në qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie deficente në sundimin e ligjit”, shprehet Basha.
Shqipëria, thotë ai, mund dhe do të ecë përpara, qytetarët shqiptarë mund dhe do të përfitojnë nga integrimi europian vetëm kur të kenë një qeverisje që lufton për kauzat e tyre përmes luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, luftës kundër drogës dhe garantimit të një demokracie funksionale, ku në themel janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Basha tha se në Bruksel dhe Berlin, PD dhe unë kemi marrë përgjegjësitë, sot si opozitë dhe nesër si qeverisje, për t’i trajtuar këto probleme të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për BE, me seriozitet dhe për t’i zgjidhur ato. Me PD-ne ligji për dekriminalizimin do të zbatohet deri më një, ndërsa do të ketë luftë të hapur dhe pa kompromis kundër drogës, krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.
Ne, thote kreu i PD-se, do të zbatojmë reformën në drejtësi që e votuam me konsensus të plotë me 22 korrik dhe nuk do të gjejmë pretekste për të kontrolluar procese kyçe, siç janë pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Kushtetutës, jo sipas Kryeministrit, apo nisja nga puna e Byrosë së Veçantë të Hetimit dhe të ndjekjes penale për zyrtarë të korruptuar.
Ndaje me miqte