Basha tek memoriali i 2 prillit në Shkodër: Zotimi ynë zgjedhje të lira
03 Prill 2017
Masakra e fundit e regjimit komunist i mori Shkodrës 4 bij të saj në 2 prillin e 1991-ës. Me kete rast, qyteti ka përkujtuar dhe nderuar 26 vjetorin e vrasjes së martireve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Ceremonisë iu bashkua edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Duke vlerësuar sakrificën sublime që Shkodra ka bërë ndër vite, si qyteti që e ka paguar me çmimin më të lartë demokracinë, Basha tha se edhe sot vendi ndodhet ne momente të vështira. Ai ritheksoi qëndrimin dhe vendosmërinë e demokrateve se deri në fitoren për zgjedhje të lira e republikë të re nuk ka tërheqje.
“Sot është dita e përkujtimit e nderimit për sakrificën më sublime. Shkodra përherë ka paguar çmim të lartë për demokracinë. Jemi krenar për çmimin e lartë që keni vendosur në altarin e demokracisë. Sot aleanca e krimit me pushtetin me aktuale se kurrë. Aleanca e krimit thotë se mund ketë zgjedhje pa opozitën. Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund”, deklaroi Kreu i PD-së.
Basha kërkoi që misioni i 2 Prillit të shkojë deri në fund, pasi edhe sot demokracia është e kërcënuar.
“Ndaj më duket e përshtatshme dhe e domosdoshme, te përsëris përpara këtij altari frymëzues që përkujton sakrificën sublime të katër dëshmorëve tanë dhe që kujton sakrificën shekullore të shkodranëve dhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci, se sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë”, theksoi ai.
Më pas, kreu i opozitës iu drejtua hollit të bashkisë Shkodër, ku pa ekspozitën me fotografi dhe dokumentarin kushtuar kësaj ngjarje.
Ndaje me miqte