Basha zbardh kriteret për zgjedhjen e deputetëve: Vetting figurës dhe e shkuara komuniste
ATSH
24 Janar 2017
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha fton edhe njëherë qytetarët të zgjedhin e deputetin e tyre.
Sipas tij, vendi po kalon një moment të vështirë ekonomik e shoqëror, prandaj dhe transparenca në zgjedhjen e deptutetëve të tyre është mjaft e rëndësishme.
“Sot në Shqipëri një grusht i vogël njerëzish kontrollojnë pasuritë dhe gjithë pushtetin politik e ekonomik të vendit, ndërsa shumica e shqiptarëve janë më së shumti të pafuqishëm, të pashpresë dhe të varfër”, tha Basha.
Ai shtoi se, si kudo në perëndim, edhe në Shqipëri qeverisja duhet t’u kthehet më në fund njerëzve.
“Vetëm atje ku pushteti buron nga njerëzit dhe kontrollohet nga njerëzit mund të ketë liri, demokraci të vërtetë dhe mirëqenie, për sot dhe për të ardhmen. Si 26 vite më parë, Partia Demokratike do t’i prijë këtij ndryshimi që kërkon koha: kthimit të pushtetit tek njerëzit. Ndryshimin ajo po e fillon nga vetja. Para disa ditësh ne nisëm përzgjedhjen e hapur të kandidatëve për deputetë nga vetë njerëzit”, theksoi Basha.
“Demokratët dhe çdo qytetar tjetër mund të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Mbi këto propozime do përzgjidhet lista e kandidatëve demokratë për deputetë, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi të vetingut të figurës, profesionalizmit dhe të së shkuarës komuniste”, njoftoi Kreu i PD.
Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i një kthese të madhe politike për Shqipërinë. “Për herë të parë në historinë e vendit përfaqësuesit e popullit do të përzgjidhen nga vetë populli në çdo hap të procesit. Kështu garantohet se pushteti të burojë vërtetë nga njerëzit. Dua t’u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi. E di që shumë prej jush me të drejtë jeni mosbesues apo dyshues. E di që shumë prej jush keni humbur shpresën. Por, ka vetëm një mënyrë për të rikthyer shpresën dhe besimin: ushtrimi i të drejtës për t’u vetëqeverisur. Ndaj përfshihuni në këtë proces duke propozuar kandidatin tuaj për deputet”, tha Basha.
Ndaje me miqte