Ben Blushi intervistë për Tribunanews: &ldquoPo të vazhdojë qeverisja PS PD konflikti social është i pashmangshëm&rdquo
Robert GORO
23 Qershor 2017
Ndër politikanët dhe shkrimtarët më të njohur në vend, 48-vjeçari Ben Blushi mbahet mend si kritiku më i ashpër i Edi Ramës, -sidomos pasi ai mori postin e kryeministrit- deri në shtator 2016. Atëherë Blushi u largua nga Partia Socialiste, dhe krijoi partinë e vet, me emrin LIBRA (akronim i “Lista e Barabartë”), që të paktën në manifestin e vet, prezantohet qartësisht si një parti e majtë.
Megjithëse me më pak se një vit jetë, “LIBRA” paraqitet në sondazhet që jo vetëm ta kapë cakun e 3 përqindshit, por edhe të ketë rolin e vet në zhvillimet pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Pikëpamjet radikale të kësaj partie të re, që shënjestrojnë sistemin politik që ka udhëhequr Shqipërinë çerekshekullin e fundit, duket se prekin një pjesë të elektoratit, megjithëse kjo duhet të shihet në kutitë e votimit.
Gjithsesi, mendimi i Ben Blushit është që “nëse vazhdon të qeverisë PS-PD, është i pashmangshëm konflikti social”. Sepse, vazhdon, “është një kastë politike e cila punon vetëm për interesat e të pasurve. Shqipëria është sot vendi më i polarizuar në Europë, ku tre mijë njerëz kanë më shumë pasuri se tre milionë banorët e popullsisë së Shqipërisë të mbledhur së bashku”.
E gjithë intervista, që u realizua në selinë e LIBRA-s në Tiranë, ka si më poshtë:
ROBERT GORO: Gjendja në Shqipëri, a është vërtet kaq e zymtë sa ç’paraqitet në manifestin e LIBRA-s?
BEN BLUSHI: Unë besoj se kemi qenë shumë realistë dhe jemi shumë realistë për të fotografuar gjendjen në Shqipëri. Eshtë njësoj sikur të shkosh te doktori dhe ai të të thotë “ke disa sëmundje për të cilat duhet të kurohesh”. Dhe sëmundjet e Shqipërisë janë varfëria, janë 500.000 shqiptarë që jetojnë me 400 lekë të vjetra në ditë, janë njerëzit më të varfër në Europë; ka një kërkesë zyrtare për të ikur nga Shqipëria me afro 200-300 mijë vetë në katër-pesë vitet e fundit (ndodhemi në vendin e parë në Europë, para Sirisë në kohën e luftës). Shqipëria është një vend që ka pagat më të ulëta në Europë dhe vendi më i korruptuar në Europë. Pra, një vend ku qeveria vjedh më shumë se kudo popullin e vet.
Të gjitha këto janë arsye për të qenë shumë pesimist për gjendjen në Shqipëri, sidomos për shkak të papunësisë. Kemi papunësinë më të lartë për brezin e ri dhe fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë është nevoja e të rinjve për të ikur apo emigruar.
Për të gjitha këto shkaqe që thashë gjendja në Shqipëri është shumë e rëndë në aspektin ekonomik dhe të demokracisë.
ROBERT GORO: A ka përgjegjësi për këtë situatë kasta politike që ka drejtuar vendin këto 25 vjet?
BEN BLUSHI: Ne nuk mund ta gjejmë më armikun jashtë Shqipërie. Koha kur armiku ishte jashtë Shqipërisë, gjatë komunizmit, ka mbaruar. Tani fajin nuk na e kanë më as gjermanët, as italianët, as grekët, as serbët. E kemi qeverisur Shqipërinë vetë në këta 27 vjet. Dhe me këtë bilanc, ku gati një e treta e popullsisë është zbuar, pra ka ikur nga Shqipëria për shkak të papunësisë e korrupsionit faji është vetëm i një kaste politike e cila në 25-27 vjet e ka polarizuar vendin si kurrë në historinë e këtij shteti. Sepse është një kastë politike e cila punon vetëm për interesat e një grupi të vogël të pasurish. Shqipëria sot është vendi më i polarizuar në Europë, ku 3 mijë njerëz kanë më shumë pasuri se tre milionë njerëz. Nëse vazhdon qeverisja PD-PS, ose “Rilindje-?adra” siç them unë, ky polarizim do të thellohet. Duke çuar në konflikte sociale të pashmangshme. Një vend kaq i polarizuar do të krijojë padyshim konflikt social shumë shpejt. LIBRA ka dalë për të zbutur hendekun mes të varfërve dhe të pasurve, duke i dhënë mundësi shtresës së mesme të konsolidohet dhe të varfrit e Shqipërisë të përfitojnë më shumë nga ajo që është e përbashkët.
ROBERT GORO:Në programin tuaj ju propozoni një minimum jetik prej 19000 lekësh në mos gaboj...
BEN BLUSHI: Gati 130 euro.
ROBERT GORO: ... Nga ana tjetër, ju propozoni edhe ndryshimin e modelit ekonomik të vendit, duke i mëshuar prodhimit. Si mendoni t’i arrini këto në rast se do të jeni forca qeverisëse e vendit?
BEN BLUSHI: Minimumi jetik është një kusht që ne nuk e negociojmë me askënd, sepse mendojmë që nxjerr nga mjerimi akut të paktën 400 mijë deri 500 mijë shqiptarë, të cilët sot jetojnë me 30 euro në muaj. Ne do t’i bëjmë ata që minimumi të jetojnë me 130 euro në muaj. Eshtë pak, po prapë, është dy-tre fishi i asaj që kanë. Kushdo që më pyet se ku do t’i gjeni këto para, kjo është një faturë plotësisht e realizueshme, sepse zgjedhjet themelore në buxhetin e shtetit janë dy: ose t’ia japësh gjithë paratë e shtetit oligarkisë - pra atyre që janë shumë të pasur; ose ta ndash dhe t’u japësh dhe të varfërve. Buxhetet e fundit kanë qenë mizore, të gjitha paratë i kanë shkuar për luks oligarkisë, duke ia dhënë në formë tenderash, koncensionesh apo monopolesh. Ne duam t’i bëjmë një drejtim tjetër ekonomisë, duke rishpërndarë pasurinë në mënyrë njerëzore. Në Shqipëri ka ardhur koha për të vendosur dinjitet me ligj, çka mungon. LIBRA ka një moto “Rruga e Re”. Ne duam t’u themi shqiptarëve që jemi rruga e re, jemi një mundësi tjetër për të drejtuar ekonominë dhe shtetin, duke krijuar në radhë të parë modelin e një vendi që nuk emigron, nuk i zbon shqiptarët, por përkundrazi, hap vende pune, dhe krijon mundësi që prodhimet shqiptare të shiten dhe të kenë treg më të madh. Prodhimet shqiptare janë sabotuar, për shkak se kjo qeveri dhe ajo që ishte para kësaj, janë njësoj, kanë sabotuar produktet shqiptare duke favorizuar tregtarët. Pra, janë favorizuar vazhdimisht ata që sjellin mall dhe jo ata që prodhojnë mall. Dhe kjo ka çuar në rritjen e deficitit tonë tregtar me botën. Pra, ne sheshim më pak nga sa ç’blejmë. Duhet të dini një gjë, që shqiptarët, ndoshta vendi më agrar i këtij rajoni deri para njëzetë vjetësh të paktën, sot blen 800 milionë euro ushqime në tregjet e huaja. Përse ndodh kjo? Kur ne prodhojmë gjithçka, është e pamundur për shkak se nuk stimulohet ai që prodhon, por ai që shet domate, ose që blen domate nga jashtë. Kjo politikë nuk ka për të vazhduar më. Do ta mbrojmë tregun tonë dhe produktet tona vendase.
ROBERT GORO: Në fakt, gjithë këto që thatë, mua që jetoj në Greqi, më sollën pak ndër mend Aleksis Tsiprasin... Dhe ish kolegët e tu dhe miqtë tanë të përbashkët më thanë që “Ben Blushi është Tsipras shqiptar”...
BEN BLUSHI: Shqipëria nuk është Greqia e viteve 2008, 2009, 2012. Ne jemi shumë keq, ne jemi shumë më keq. Po për fat, nuk jemi akoma anëtarë të Bashkimit Europian që të mund të kemi detyrime kaq të mëdhaja sa ç’pati Greqia dhe borxhi ynë, megjithëse është i lartë, nuk ka vajtur 160-170%, sa ç’e kishte Greqia. Megjithatë, unë e konsideroj të domosdoshme që të marrim çdo lloj mase për të mundur varfërinë. Ka dy mundësi, ose Shqipëria të mundi varfërinë, ose varfëria të mundi Shqipërinë. Në qoftë se varfëria mund Shqipërinë, vendi do të bëhet më i vogël, Shqipëria do të shpopullohet, do të humbë klasën e mesme, do të humbë fuqinë punëtore, do të humbë shkolla më të mira, do të humbë besimin e investitorëve, do të humbë të rinjtë; do të përfundojë në një pronë private të disa familjeve. Kjo duhet shmangur me çdo kusht.
ROBERT GORO: Sa e vështirë është për një parti jashtë sistemit që të zejë vend në skenën politike dhe të konkurrojë denjësisht. A i bëhet rezistencë dhe luftë e pandershme nga forcat e sistemit?
BEN BLUSHI: Absolutisht. LIBRA është partia më e diskriminuar në shumë kuptime, por unë po marr vetëm fushatën. Në fushatë ne pothuajse nuk dalim në televizor. Për shkak se televizionet shqiptare janë palë, janë pjesë e një grupi politik që tani është bërë një, “Rilindja dhe çadra” apo PS dhe PD. Ata janë bërë bashkë. Dhe në qoftë se shihni televizionet e Shqipërisë, do t’ju duket sikur këtu ka vetëm dy njerëz, çka është totalisht e padrejtë. Për këtë shkak ne kemi vendosur të bëjmë një fushatë “door to door” dhe unë bashkë me gjithë kandidatët e tjerë jemi non stop në fushatë, duke kërkuar vota në terren. Jemi të diskriminuar sidomos në kohën televizive dhe në financime. Ne e financojmë fushatën tonë me kuota anëtarësie.
ROBERT GORO: Në varësi të rezultatit tuaj, a jeni të prirur të bashkëpunoni në qeverisjen e vendit. Dhe nëse po, cilat do të jenë kushtet tuaja?
BEN BLUSHI: LIBRA nuk mund të bashkëpunojë me askënd që nuk merr përsipër të paktën të realizojë disa nga çështjet programore tonat. Cilat janë këto? E para, minimumi jetik. E dyta, ulja e taksave për shtresën e mesme. E treta, një pikë që kemi në program, ne e kemi të domosdoshme të bindim emigracionin shqiptar të kthehet, në qoftë se jo fizikisht, të kthehet si investitor. Kemi një pikë në program, sipas të cilës çdo emigrant shqiptar që vjen në Shqipëri dhe investon 100 mijë euro e lart, nuk do të paguajë taksa për katër vjet. Ne po rropatemi të marrim para nga francezë, nga gjermanë, nga italianë. Kjo ka rezultuar e pamundur; Shqipëria sidomos në katër vitet e fundit, ka thithur më pak investime të huaja se Bosnja. Ka ardhur koha t’u kërkojmë para shqiptarëve. Në bankat europiane duke filluar nga Greqia, shqiptarët mund të kenë 30-40 miliardë euro pasuri. Në qoftë se ky shtet fillon dhe i bind që të kthehen, duke i toleruar nga taksat, duke u krijuar besim te tregu ynë, duke u dhënë garanci, ky do të ishte investimi më i madh dhe kështu Shqipëria do të mund të shpëtonte. Këto janë pika të panegociueshme. Ne nuk negociojmë qeveri me askënd që nuk zbaton pikat themelore të programit tonë.
ROBERT GORO: A mendon që rritja e SYRIZA-s, -...mund të përbëjë një precedent që edhe parti të tjera të rajonit të tentojnë dhe të aspirojnë përmbysjen.
BEN BLUSHI: Unë besoj se po, pse popujt ngjajnë me njeri-tjetrin, sidomos në Mesdhe. Sidomos në Mesdhe popujt ngjajnë me njeri-tjetrin dhe kanë nevojë për të ndryshuar. Mesdheu po bëhet pjesa më e diskriminuar e Europës, sidomos Mesdheu në anën e të cilit jetojmë dhe ne, po krijohet një hendek i ri mes Mesdheut dhe Europës Veriore. Kam përshtypjen se gjithë këto shkaqe do ndikojnë edhe në Shqipëri, që shqiptarët të kërkojnë edhe një mundësi tjetër. Hapje, qeverisje, një ekonomi më të mirë dhe më barazitiste, që u jep shans dhe mundësi të gjithëve të përfitojnë nga të mirat që natyra i ka dhënë Shqipërisë. Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë, në proporcion me popullsinë që ka. Shqipëria është një vend i vogël, sikur të ishte populluar nga 30 milionë banorë do të ishte e vështirë. Eshtë vend i vogël, popullohet nga 3 milionë banorë. Që ka naftë, që ka diell më pak vetëm se Spanja, ka ujë vetëm më pak se Norvegjia, në vend të dytë në Europë, ka naftë më shumë se çdo vend tjetër në Europë, përjashto Rumaninë, ka fusha të mjaftueshme për të na ushqyer. Këtij vendi i mungon vetëm një gjë: qeveria. Në qoftë se shqiptarët gjejnë një qeveri që nuk i dëmton, besoj se shqiptarët do të jetojnë shumë më mirë në dy dekadat e ardhshme.
ROBERT GORO: Në Manifestin tuaj thoni që LIBRA inkurajon marrëdhënie partneriteti reciprok me të gjithë fqinjët. Marrëdhëniet me Greqinë, ku veç të tjerash jetojnë e punojnë më shumë se gjysmë milioni shqiptarë, i konsideroni në optikën tuaj të barazvlershme me gjithë vendet e tjera fqinje?
BEN BLUSHI: Të gjithë fqinjët kanë peshën e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Shqipëria duhet të jetë një vend i hapur ndaj fqinjëve, që mundësisht t’i garantojë të gjithë se është një vend që të kërkon paqe dhe solidaritet dhe kërkon marrëdhënie reciproke me të gjithë fqinjët, pa asnjë dallim. Natyrisht, fakti që në Greqi jetojnë gati 700-800 mijë shqiptarë e detyron Shqipërinë që marrëdhëniet me Greqinë të kenë një raport strategjik. Padyshim është një raport strategjik dhe duhet të mendojmë shumë për një vend i cili ka strehuar, ka punësuar gati 800 mijë shqiptarë që janë kontributorët kryesorë ndoshta të ekonomisë tonë në 20 vjet. Pa paratë e emigracionit, Shqipëria mund të kishte falimentuar tre-katër herë. Dhe ka ardhur koha që ne ta shohim në këtë optikë, të mbajmë marrëdhënie të mira me të gjitha ato vende që strehojnë shqiptarë, i kanë punësuar ata dhe i japin mundësi të jetojnë më mirë se në vendin e tyre.
Ndaje me miqte