Beograd Shkup ulen tensionet
Zeri i Amerikes
24 Gusht 2017
Serbia dhe Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ulën të mërkurën tensionet, dy ditë pasi Beogradi tërhoqi gjithë personelin diplomatik nga Shkupi.
Në një deklaratë të përbashkët pas një bisede telefonike, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri maqedonas Zoran Zaev thonë se kanë rënë dakord për normalizimin e gjendjes dhe ngritjes së marrëdhënieve diplomatike e ekonomike midis dy vendeve.
Ata kanë zhvilluar një bisedë telefonike të mërkuren në drekë, pas acarimit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve ku si pasojë Serbia tërhoqi diplomatët e saj nga ambasada në Shkup.
Dy drejtuesit, sipas një komunikate të përbashkët, kanë rënë dakord që mospajtimet t’i zgjidhin me anë të dialogut; të promovojnë marrëdhënie miqësore dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Dy vendet do ta mbështesin njëri tjetrin në rrugën e integrimeve evropiane, ndërsa do t’i mbrojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore përmes konventave ndërkombëtare dhe vullnetit të mirë, thuhet në komunikatë.
Edhe ministrat e jashtëm të Serbisë dhe Maqedonisë, Ivica Daçiç dhe Nikolla Dimitrov kanë biseduar po ashtu të mërkuren përmes telefonit dhe janë marrë vesh për një takim që do të mbahej të premten në qytetin e Nishit në Serbi, për të forcuar marrëdhëniet miqësore, siç thuhet në një komunikatë të ministrisë së jashtme maqedonase. Zëvedës-kryeministri dhe ministri serb Daçiç e ka njoftuar ministrin maqedonas se personeli i ambasadës do të kthehet të premten në Shkup, ndërkaq ambasadorja më vonë.
Megjithatë, vendimi i tërheqjes së personelit diplomatik ka lënë shumë pyetje pa përgjigje.
Ndaje me miqte