Bie miti i fundosjes së "Titanik&rdquout nga një ajsberg?
TRIBUNA
03 Janar 2017
Pas 105 vitesh nga fundosja e "Titanik”-ut, studiuesit thonë se ka prova të qarta se anija më e famshme e historisë së njerëzimit nuk është fundosur për shkak të përplasjes me një ajsberg.
Më 10 prill 1912, ”Titanik”-u u nis në udhëtimin e tij të parë transoqeanik nga porti i Sauthemptonit drejt Nju Jorkut.
Kapiteni Edward John Smith qëllimisht ishte nisur drejt rrugës më të shkurtër, më në veri, nga e përcaktuara duke nënvlerësuar rrezikun e përplasjes me një ajsberg.
Vetëm katër ditë më vonë, ”Titanik”-u u përplas me një ajsberg, që e ndau më dysh dhe e fundosi dy orë më vonë.
Fundosja e "Titanik”-ut, 105 vjet më parë, konsiderohet si aksidenti më i madh detar i historisë moderne.
Teoria se "Titanik”-u nuk është fundosur nga përplasja me ajsbergun u shfaq në dokumentarin e fundit të quajtur “Titanik: Prova të reja” që u transmetua nga stacioni televiziv shtetëror britanik "Channel 4”.
Në dokumentar theksohet hipoteza e re, sipas së cilës një zjarr i madh i rënë në motorët e anijes rezultoi fatal pasi dobësoi strukturën metalike të saj që, pas përplasjes me ajsbergun, u nda më dysh.
Historia
Kur Titaniku, anija më luksoze e kohës, nisi udhëtimin e saj të parë, mes 2.224 njerëzve që ndodheshin në bord, kishte disa nga njerëzit më të pasur si dhe shumë emigrantë britanikë që i drejtoheshin Amerikës për një jetë më të mirë.
Por udhëtimi do të ndërpritej vetëm pak ditë pas nisjes, pikërisht në 14 prill, kur 375 milje larg brigjeve amerikane do të përplasej me një ajsberg. Përplasja fatale shkatoi një të çarë të thellë në trupin e anijes, që nisi të mbushej me ujë e të fundosej. Ajo kishte në bordin e saj varka shpëtimi për vetëm 1.178 njerëz, shumë më pak nga numri i përgjithshëm i personave që ndodheshin në të.
Një pjesë e ekuipazhit të anijes dhe pasagjerëve (rreth 710 persona) mundën të shpëtonin falë këtyre barkave, por pjesa tjetër u mbyt së bashku me anijen gjigande. Në orën 02.20 të mëngjesit të datës 15 prill “Titaniku” u zhyt përgjithmonë në ujërat e oqeanit Atlantik.
Ndaje me miqte