0030 210 33 18 483

Biznesmeni grek fiton licencën e TV por nuk ka para që të paguajë

TRIBUNA 26 Shtator 2016

Tenderi i qeverisë greke për licensimin e katër televizioneve kombëtare është vënë të hënën në pikëpyetje sa i përket transparencës. Të paktën kështu gjykojnë kritikët e qeverisë Tsipras, pasi njeri prej katër fituesve nuk arriti të paguante një të tretën e shumës prej 52 milionë eurosh, që kishte ofruar për të marrë lejen. Vladimiros Kalogritsas deklaroi mesditën e të hënës, se tërhiqet nga gara, duke akuzuar konkrrentët e tjerë se i bënë një luftë të pandershme. Në fakt, e hëna në mbrëmje ishte limiti i afatit të shlyerjes së këstit të parë për blerjen e licencave kombëtare. Secili prej katër fituesve duhej të paguante një të tretën e vlerës që ofroi në tender, me ç’rast edhe u shpall fitues. Që nga e premtja, tre prej fituesve i kryen pagesat e tyre. Për biznesmenin Kalogratisa, kjo shumë ishte 17,5 milionë euro. Por mëngjesin e të hënës ai kërkoi 48 orë afat që të grumbullonte paratë e nevojshme, afat që iu refuzua nga qeveria. Kështu, në pamundësi për të dorëzuar pagesën, biznesmeni deklaroi se tërhiqet. Në fakt, Vladimiros Kalogritsas ishte një emër krejt i panjohur deri në mesin e gushtit, kur kandidatura e tij kaloi testin e parë për pjesëmarrje në tender. Qysh në fillim ai u përfol se ishte një përzgjedhje e SYRIZA-s në pushtet, që sipas kritikësve, dëshironte të kishte një televizion krejtësisht miqësor. Dhe kjo për arsye se radikalët e majtë dhe personalisht kryeministri Tsipras, i ka akuzuar vazhdimisht televizionet ekzistuese si një nga përgjegjësit kryesorë të nivelit të lartë të korrupsionit në vend dhe rrjedhimisht të krizës në të cilën ndodhet vendi që prej shtatë vjetësh. Ditët e fundit në medien e shkruar dhe elektronike u publikuan dokumente që pretendohet se provojnë jo thjesht gjendjen problematike të kompanive të biznesmenit Kalogritsa, por edhe se gjatë 15 viteve të fundit ai kishte deklaruar të ardhura minimale tatimore dhe se po hetohet për evazion fiskal. Këto publikime i dhanë një armë opozitës që të akuzojë qeverinë për mungesë të plotë transparence në tenderin për licencat e televizioneve. Në fakt, tërheqja e sotme e biznesmenit e lë zbuluar qeverinë, pasi vetëm pak ditë më parë shërbimet shtetërore kishin verifikuar pasuritë e pjesëmarrësve në tenderin e famshëm. Gjatë atij verifikimi kishte rezultuar se Kalogritsas ishte plotësisht në rregull dhe se nuk do të kishte problem për marrjen e licencës. Në kohën që kundër tenderit janë ngritur mjaft kallazime penale që presin të shqyrtohen, mbetja vakante e njerës prej licencave krijon vështirësi të tjera për ecurinë e mëtejshme të procesit të licensimit. Tani, vendin e kalogritsas duhet ta zejë dikush prej humbësve të tenderit, një procedurë që sipas vlerësimeve të para të juristëve do të jetë jashtëzakonisht e ndërlikuar. Tenderi i shpallur nga qeveria greke u zhvillua ditët e para të shtatorit, në kushte Big Brother-i. Megjithëse çmimi fillestar ishte caktuar 3 milionë euro për çdo licencë, katër fituesit ofruan shuma marramendëse. Licenca më e lirë u shit për 43,6 milionë dhe më e shtrenjta për 75,9 milionë euro. Shteti pritet të inkasojë një shumë të përgjithshme prej 246 milionë, një e treta e të cilës duhej depozituar deri mbrëmjen e 26 shtatorit. Vendimi i qeverisë greke “për të disiplinuar” sipas saj tregun televiziv në Greqi, pritet të çojë drejt mbylljes tre prej televizioneve më të mëdha e më të vjetër në vend, Mega Channel, Star dhe Alpha.

Ndaje me miqte