0030 210 33 18 483

Britani Konservatorët fitojnë zgjedhjet. Cameron: "Vizioni im zhvillimi ekonomik"

08 Maj 2015

Rezultatet përfundimtare kanë zyrtarizuar fitoren e konservatorëve në zgjedhjet e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar, që do të drejtohet edhe për një mandat nga kryeministri David Cameron. Konservatorët kanë fituar terren kryesisht në Angli dhe Uells dhe nga të dhënat e fundit të BBC rezulton se kanë siguruar 326 vende, 1 më shumë se gjysma e deputetëve të Parlamentit, duke gëzuar mazhorancën. Dhe Cameron nuk ka vonuar të tregojë vizionin e tij, në një takim me mbretëreshën Elisabeth. "Vizioni i qeverisë time do të jetë zhvillimi ekonomik", ka thënë ai në takimin me monarken. Më herët zoti Cameron deklaroi se do të vazhdojë me synimet e tij për të mbajtur një referendum mbi qëndrimin ose jo të Britanisë në Bashkimin Evropian dhe për të përmbushur planin ekonomik të konservatorëve. “Synimet e mia mbeten të qarta, të qeveris në bazat e qeverisjes për këdo që jeton në Mbretërinë tonë të Bashkuar. Sepse unë dua ta mbaj vendin të bashkuar, duke implementuar sa më shpejt ato premtime për të cilat u bashkuam me partitë e tjera në Uells dhe Skoci”, tha Cameron. Zoti Cameron u kthye në Downing Street i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Samantha. “Unë e dua partinë time dhe shpresoj që qeveria që do të doja të udhëheq të ruajë mantelin e fitores, mantelin e Një Kombi, Një Mbretërie të Bashkuar. Kjo është mënyra se si do të qeveris nëse do kem fatin të formoj një kabinet në ditët e ardhshme”, shtoi ai. Ndërkohë, burime të afërta nga Ed Miliband deklarojnë se lideri i laburistëve ka dhënë dorëheqjen pasi partia e tij dështoi në këto zgjedhje, edhe në Skoci përballë SNP-së. Edhe liberal-demokrati Nick Clegg ka njoftuar një veprim të tillë, pasi partia e tij doli shumë e tkurrur nga këto zgjedhje, nga 57 në 8 ulëse në Parlament. Të njëjtën gjë ka bërë edhe lideri i UKIP, i cili në disa zona që konsideroheshin bastione të tij humbi përballë konservatorëve.

Ndaje me miqte