0030 210 33 18 483

Bushati: Të interesuar për për një marrëdhënie strategjike me Greqinë

Tribuna / Zëri i Amerikës 22 Shtator 2017

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, është ndalur edhe tek marrëdhëniet me Greqinë. “Nuk besoj se është në interesin dhe dëshirën e Greqisë për të vendosur kushtëzime për perspektivën europiane të Shqipërisë, por siç u bë e qartë edhe në programin e prezantuar nga kryeministri jemi të interesuar për një marrëdhënie të drejtë me Greqinë dhe që sjell zgjidhje të drejta për të dyja palët”, ka deklaruar Bushati në intervistë. “Në katër vitet e shkuara janë bërë disa hapa, atë që e kemi cilësuar si politika me hapa të vegjël, janë bërë hapa konkrete përpara, për marrëveshjen e detit kemi shkëmbyer pikëpamje, të gjitha çështjet janë vendosur në tryezë. Kemi arritur në një moment përcaktues, ku së bashku me homologun do ti ulim këto çështje në një nivel ekspertësh dhe më pas do ua prezantojmë dhe kryeministrave tanë. Do përçojmë marrëdhëniet mes dy vendeve në një frymë evropiane. Edhe Greqia ka interes për t’u përfshirë në këtë proces”, tha Bushati. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme ndodhet në Nju Jork, si pjesë e delegacionit të Shqipërisë që po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. E gjithë intervista dhënë radios “Zëri i Amerikës” ka si më poshtë: Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, ministria që ju drejtoni do të ketë tani dhe përgjegjësinë e ndjekjes së procesit të integrimit. Pas rekomandimit të Komisionit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, kushtëzuar nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe në veçanti nga ai i ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve pati një pritshmëri nga qeveria juaj se ndoshta një vendim në favor do të mund të merrej brenda këtij viti. Ndërkohë që tani shpresat duket se janë shtyrë për në mars. ?farë po ndodh me këtë proces. Ju vetë keni thënë se viti i ardhshëm do të jetë vendimtar, pasi më pas vetë BE nis procesin e rinovimit të institucioneve të saj- Ditmir Bushati: Me qeverinë “Rama 2” kemi një ristrukturim dhe një evitim të mbivendosjes së disa prej proceve dhe kompetencave. ?ka do të thotë se Ministria e Jashtme përveç aspektit të koordinimit politik, do të kujdeset dhe për aspektin teknik të këtij procesi. Për sa i përket kalendarit të vendimmarrjeve të BE-së, jemi duke punuar me Shërbimin e Komisionit Europian dhe me vendet kryesore te BE-së për të prodhuar rezultate e para në lidhje me zbatimin e ligjit të Vettingut, pra rezultatet e para në fushën e Reformës në Drejtësi, si dhe po punojmë për të patur rezultate edhe me solide në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për të konsoliduar ato arritje që janë evidentuar në raportin e Komisionit europian. Natyrisht që në mars do të jetë një takim i Bashkimit europian me të gjitha vendet që janë pjesë e procesit të Zgjerimit dhe ato do të njihen me raportet e Komisionit Europian. Ne synojmë që në harkun kohor të kësaj periudhe që nga tani e deri në qershorin e viti tjetër të kemi disa hapa konkretë që do t’i krijonin mundësi BE-së për të marrë vendimin final për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Siç ju e thatë ka disa një rekomandim të shoqëruar me disa elementë që kanë lidhje me zbatimin e Reformës në drejtësi dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, Greqia konsiderohet si një partner strategjik i Shqipërisë, megjithatë marrëdhëniet me të shoqërohen shpesh me tensione, siç ishte rasti i fundit, ku si presidenti grek ashtu dhe ministri i Jashtëm folën me tonë të forta kritike pas diskutimit të planit urbanistik të Himarës. Gjatë takimeve me homologun tuaj, është deklaruar se keni rënë dakord për të trajtuar problemet e trashëguara, por duket se nuk është bërë ndonjë hap i rëndësishëm përpara. Cilat janë pengesat? Ditmir Bushati: Në fakt gjatë katër viteve të shkuara janë bërë disa hapa, në atë që ne kemi preferuar ta konsiderojmë si “politika e hapave të vegjël” që do të rriste besimin mes palëve, po të marrim parasysh stadin kritik në të cilin ishin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos pas shfuqizimit të së ashtuquajturës Marrëveshje të detit nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe ngrirjes së kontakteve në planin politik e diplomatik. Janë bërë disa hapa konkrete përpara si për sa i përket marrëveshjes për toponimet apo çështje të tjera që kanë ndjeshmëri për qytetarët tanë. Kemi shkëmbyer pikëpamje, kemi ngritur një mekanizëm komunikimi në nivel zëvendësministrash ku të gjitha çështjet janë vënë në tryezë. Tani jemi në një moment përcaktues ku së bashku me homologun Kotzias do të ulemi së bashku me një grup ekspertësh për t’i trajtuar në një gjykim dhe më politik këto çështje dhe për t’i dhënë zgjidhje e më pas për t’ua prezantuar kryeministrave të vendeve tona ato çështje të cilat meritojnë një zgjidhje gjithnjë bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në frymën europiane që duhet të forcojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk është një proces i lehtë, por mund t’ju them dhe nga dreka e djeshme me ministrin Kotzias, konstatoj që ka një gatishmëri dhe nga ana e Greqisë për t’u përfshirë në këtë proces. Zëri i Amerikës: A e shihni Greqinë si një vend që mund të kushtëzojë përparimin e vendit tuaj në marrëdhëniet me BE-në, nisur dhe nga deklarata e fundit të drejtuesve të lartë grekë? Ditmir Bushati: Nuk besoj se është në interesin dhe dëshirën e Greqisë për të vendosur kushtëzime ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë, por nga ana tjetër siç u bë e qartë dhe gjatë prezantimit të programit qeveritar nga kryeministri Rama, çka pasqyrohet dhe në pjesën e programit për politikën e Jashtme, ne jemi të interesuar për të kyçur në një marrëdhënie realisht strategjike me Greqinë në një marrëdhënie e cila respekton të drejtën ndërkombëtare dhe frymën europiane e që sjell zgjidhje të drejta për të dyja palët. Prandaj në momentet që flasim kemi rënë dakort për një kalendar të qartë aktivitetesh që do të përfshijë jo thjesht burokratët dhe pjesën teknike të dy vendeve por dhe pjesën politike me synim që të përshpejtojmë rrugën e zgjidhjeve për një pjesë të mirë të problematikave që ende e mbajnë larg pritshmërive marrëdhëniet shqiptaro greke”. Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, për Ballkanin diskutohet vazhdimisht si një rajon ku ka një mori problemesh, mes të tjerash rreziku nga radikalizmi, apo ndikimi i Rusisë për të penguar rrjedhat e integrimit europian të rajonit. Ju si do ta vlerësonit gjendjen aktuale? Ditmir Bushati: Ballkani Perëndimor krahasuar me 10 apo 15 vite më parë është në një situatë më të stabilizuar por nga ana tjetër, është përballë sfidave shumë herë më të mëdha. Edha nga takimet e zhvilluara këtu në Nju Jork, në disa nivele të ndryshme, është theksuar fakti se bashkëpunimi rajonal dhe hapat që kemi ndërmarrë në këtë drejtim janë të domosdoshëm por në asnjë rrethanë nuk mund të zëvendësojnë, por nuk mund të konsiderohen as si alternativë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë dhe anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit në BE. Edhe fjalimi i fundit Presidentit të Komisionit Europian Juncker është një reflektim nga programi i tij i para disa viteve ku zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor tanimë konsiderohet strategjik edhe për vetë BE-ë. Në të shkuarën sidomos në dy vitet e fundit, ne jemi fokusuar dhe kemi patur një bashkëveprim të qartë me vendet e BE-së në luftën kundër terrorizmit apo për çështje dhe sfida që kanë lidhje me mjedisin e sigurisë në kontinentin tonë, tani është koha që përmes Procesit të Berlinit, dhe instrumenteve që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të punojnë realisht për një strategji zhvillimore që i zvogëlon hendeqet, veçanërisht në planin social dhe ekonomik mes nesh dhe BE-së. Zëri i Amerikës: Pikërisht në këtë kuadër të bashkëpunimit rajonal, gjatë qëndrimit në Nju Jork ju jeni takuar dhe me Komisionerin europian për Zgjerimin Johannes Hahn, ku është diskutuar veçanërisht dhe për Zonën Ekonomike rajonale, për të cilën vendet e Ballkanit ranë dakort në Takimin e Nivelit të Lartë të Triestes. Janë ngritur shqetësime se kjo zonë mund të sjellë më shumë përfitime për vendet që janë më të mëdha apo me një ekonomi më të zhvilluar në kurriz të vendeve më të vogla dhe me një ekonomi ende të brishtë. Në rastin e Shqipërisë, a shihni rrezik për bizneset shqiptare nga konkurrentët rajonal? Ditmir Bushati: E para duhet ta pranojmë në mënyrë modeste dhe realiste që Shqipëria është ndër vendet kyçe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Kjo lidhet dhe me përkatësinë tonë në Nato, me daljen tonë të qartë në Mesdhe dhe të qenit pjesë e disa nismave në hapësirën adriatiko-joniane. Por lidhet gjithashtu me faktin që politika jonë e jashtme në rajon krijon ndjeshmëri pozitive dhe është orientuese për të gjithë perspektivën e rajonit tonë drejt anëtarësimit drejt BER-së. Pra nuk duhet ta shohim aspak në mënyrë inferiore këtë nisëm. Përkundrazi duhet të kontribuojmë secili nga këndi i vet i shikimit se si duhet të përfitojë Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit nga kjo nisëm. Së dyti të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që pavarësisht përpjekjeve që janë ndërmarrë në planin shtetëror gjatë viteve të fundit, ende ka barriera nga më të ndryshmet që pengojnë vendet e rajonit të çlirojnë të gjitha ato energji pozitive që do të duhet të çlironin. Në këtë kontekst ne jemi duke punuar të gjithë së bashku për programet e lëvizshmërisë, jo vetëm të të rinjve, por dhe pjesëve të tjera të shoqërisë në mënyrë që rajoni ynë të transformohet realisht në kuptimin politik, ekonomik dhe të sigurisë në një rajon të vërtetë. Po diskutojmë për njohjen dhe unifikimin e diplomave dhe profesioneve, po diskutohet për një unifikim të tarifave sa i përket shërbimeve roaming. Pra ka disa procese që po ecin paralelisht së bashku me krijimin e Zonës ekonomike rajonale dhe me instrumentet që do të lidhnin më mirë dhe do të krijonin një sinergji më të madhe mes komunitetit të biznesit dhe vendimmarrësve. Por nga ana tjetër është dhe një fakt që Ballkani Perëndimor gradualisht po kthehet në një hapësirë normale, pavarësisht problemeve të mëdha që ekzistojnë. Dhe takimet këtu si në nivel ministrash me komisiorin Hahn, ashtu dhe në nivel kryeministrash me Përfaqësuesen e Lartë Mogherini, të çmojnë pikërisht këtë që unë u përpoqa të shpjegoj.

Ndaje me miqte