0030 210 33 18 483

Bushati me Diasporën në New York: Qeveria e angazhuar për një marrëdhënie të re me shqiptarët jashtë atdheut

ATSH 25 Shtator 2017

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi një bashkëbisedim me përfaqësues të Diasporës Shqiptare në New York. Në këtë takim mori pjesë edhe zv. Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. Ministri Bushati shprehu vlerësimin e tij maksimal për bashkatdhetarët tanë në Shtetet e Bashkuara, jo vetëm për kontributin e tyre ndaj atdheut, por edhe nivelin e lartë të integrimit në shoqërinë amerikane, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e tij të plotë në thellimin e bashkëpunimit me diasporën, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj tyre. Ai vuri në dukje nismat e qeverisë shqiptare për jetësimin e një marrëdhënie të re me shqiptarët jashtë atdheut, angazhimin e tyre në zhvillimet e vendit, si dhe të Ministrisë që ai drejton në veçanti. Këtu mund të theksohet zhvillimi i suksesshëm i Samitit të Parë të Diasporës në Tiranë më 18-20 nëntor 2016, ku një numër shumë i madh i shqiptarëve nga SHBA-të morën pjesë aktivisht në punimet e Samitit, si dhe lançimi i suksesshëm i shërbimeve konsullore online, të cilat ofrojnë shërbime më të shpejta, të lira dhe transparente për të gjithë shqiptarët. Ai gjithashtu vuri në dukjen angazhimin për regjistrimin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe mundësimin e tyre për të votuar nga kudo ku jetojnë që nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021. Në këtë kuadër, ai vuri në dukje dhe ngritjen e Ministrisë së Shtetit për Diasporën në qeverinë e re, e cila do të mbartë peshën e madhe të përgjegjësisë për ri-vitalizimin e marrëdhënieve me diasporën dhe angazhimin e saj aktiv në zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.

Ndaje me miqte