Bushati reagon ndaj Idrizit: &ldquoGreqia partner strategjik&rdquo
19 Shkurt 2016
Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka folur gjatë seancës Plenare të Kuvendit lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, pas deklaratës së kreut të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, i cili riktheu në Kuvend çështjen çame, referuar një konference shkencore të bërë së fundmi nga ministria e Jashtme greke.
Idrizi kërkoi që shteti shqiptar të jetë në lartësinë e duhur, pasi Greqia krahas argumenteve ligjore po përgatitet dhe për argumente logjike duke krijuar konferenca të tilla. “Nga kjo konferencë kanë dalë disa përfundimet që nuk mund t’i anashkalojmë. Së pari, shteti grek jo vetëm që e di çështjen çame po po merr gjithë masat të ketë argumentet ligjore dhe historik të saj. Shteti shqiptar nuk është në lartësinë e duhur, nuk ka ndonjë konferencë shkencore nga ministria e Jashtme shqiptare për çështjen çame për të krijuar dosje serioze përballë Greqisë. Qoftë dhe një konferencë ku të marrin pjesë dhe këta përfaqësues grek”, tha Idrizi.
Ai i kërkoi ministrisë së jashtme shqiptare që të kundërveprojë menjëherë për çështjen çame, duke u shprehur se nuk ka bërë asgjë në mbrojtje jo vetëm të çamëve, por edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Ministri i Punëve të Jashtme Bushati u shpreh se Greqia është një partner strategjik, por theksoi Bushati, jo me të gjitha çështjet me Greqinë ka dakordësi. Ministri theksoi se, duhet të evitojmë politikën e vuvuzelave. Duke folur për marrëdheniet me Greqinë, Bushati u shpreh se është ndjekur politika e hapave të vegjël, duke i grupuar çështjet.
Lidhur me toponimet, Bushati u shpreh se, duhen vendosur në balancë interesat e shqiptarëve.
Për ligjin e luftës, Bushati u shpreh se, ekziston një ligj lufte i mohuar për disa vite nga pala greke. “Greqia sot e pranon dhe arrin në një përfundim për rrugëdalje”, tha Bushati.
Për konferencat e Greqisë, ministri Bushati u shpreh se, ka pasur prani diplomatësh atje.
Ministri theksoi se është bërë punë voluminoze sa i takon rishikimit të teksteve të historisë. Gjithashtu shtoi ai ka pasur dialog konstant për të demontuar pengesat që ekzistojnë.
Bushati shtoi gjithashtu se, duhet të përcaktojmë vijën kufitare me Greqinë. Vija kufitare, tha Bushati është me rëndësi për projektet në Mesdhe”.
“Në 2013 kur kjo qeveri erdhi marrëdhëniet me Greqinë ishin të ngrira. Shqiptarët ndesheshin me vështirësi të panumërta për të kryer disa shërbime esenciale në shtetin grek. Cfarë bëmë ne. Ne grupuam cështjet në disa linja, të karakterit praktik, historik dhe në ëështje që e drejta ndërkombëtare mund të aplikohet drejtpërdrejt. Nuk ka asnjë të vertetë sa u tha në lidhje me ekzagjerimet për vendin e lindjes. Edhe çertifikata zyrtare e vendlindjes është e përkthyer në dy gjuhë. Ekziston një ligj i mohuar për disa vite nga pala greke, sot është fakt që Greqia jo vetëm e pranon, por arrin deri në një përfundim për të gjetur rrugëdalje për ta shfuqizuar ligjin e luftës. Kjo do të kishte efekt të ndjeshëm për faktin se pronat e shqiptarëve janë sekuestruar. Nuk është rasti i parë që Greqia organizon konferenca. Edhe Ministria e Jashtme Shqiptare ka organizuar konferenca për çështjen çame. Prandaj më habit ky shqetësim për një konferencë nga pala greke”, tha Bushati.
Kërkesës së Idrizit për një notë proteste ndaj Greqisë, Bushati iu përgjigj se MPJ shqiptare nuk mund të bëjë notë proteste, pasi është detyrë e diplomacisë të mbajë kanale të hapura komunikimi.
“Ju sqaroj që ne nuk mund të bëjmë notë proteste, me gjithë respektin për ju dhe kauzën në Kuvend. Sepse është detyra e ministrisë së Punëve të Jashtme në të gjithë botën që të mbajnë kanale të hapura komunikimi për një çështje të caktuar, siç e dëshmon dhe kjo konferencë, se më vjen keq që e bëni lajm. Më vjen mirë që diskutohet se tregon seriozitetin e Greqisë në raport me Shqipërinë”, tha Bushati.
(ATSH)
Ndaje me miqte