0030 210 33 18 483

DIJSSELBLOEM: I MBETET GREQISE TE KERKOJE ZGJATJE TE PROGRAMIT

18 Shkurt 2015

Kërkesa nga ana e Greqisë për zgjatjen e programit, është zgjidhja që imponohet, deklaroi presidenti i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, në përfundim të takimit të ministrave të financave të eurozonës, të hënën në mbrëmje. Siç tha zoti Dijsselbloem, bisedimet e ditëve të fundit ndërmjet autoriteteve greke dhe institucioneve, sa në nivel teknik, edhe politik, rezultuan të pafrytshme. “Sot në takimin e eurogrupit diskutuam se si do të avancojmë dhe vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë që të ecim përpara është që autoritetet greke të paraqesin kërkesën për zgjatje të programit”, tha presidenti i Eurogrupit. Dijsselbloem tha më tej se pala greke do të duhet ta bëjë kërkesën brenda ditëve të ardhshme. Përderisa do të paraqitet kërkesa nga Greqia, tha Dijsselbloem, jemi në gatishmëri që të thërrasim një takim jashtë radhe të Eurogrupit, ditën e premte. Kërkesa për zgjatje të afatit do të bazohet në angazhimet që ka ndërmarrë vendi, tha më tej Dijsselbloem dhe shtoi se tashmë është çështje e auriteteve greke se çfarë do të vendosin, nëse duan zgjatjen e afatit dhe nëse do të japin angazhoimet që nevojitet. Nga ana e vet, komisioneri për financat, Pierre Moscovici deklaroi se sot ishte e mundur dhe e dëshirueshme arritja e marrëveshjes, që ndërkaq nuk u arrit. Siç tha, u bë një diskutim i frytshëm dhe konstruktiv, prej nga rezultoi se “nuk ekziston zgjidhje tjetër alternative përveç kërkesës së palës greke për zgjatje të programit”. “Ajo që kërkohet është të dominojë arsyeja dhe jo ideologjia”, tha shprehimisht Moscovici, që përsëriti qëndrimin e tij të njohur se do të duhet të marrim parasysh rezultatet e zgjedhjeve në vendet anëtare, por në të njëjtën kohë do të duhet të respektohen detyrimet. Lidhur me mundësinë e një zbatimi më të relaksuar të programit, Dijsselbloem tha se ka hapësira për elasticitet, në kuadër të programit ekzistues dhe me kusht që mos të përmbysen dhe mos të eliminohen objektivat e dakorduar. Kur Greqia të kërkojë zgjatje të afatit, çdo ndryshim në program do të duhet të dakordohet me tre institucionet, të cilët do të çertifikojnë se sa programi do të gjendet në shinat e duhura. Dijsselbloem theksoi se qeveria greke duhet të ofrojë angazhime se do të finalizojë me sukses programin, duke thënë se duhen shmangur veprimet e njëanshme. Drejtoresha e përgjithshme e FMN, Christine Lagarde, nga ana e saj, tha se po të mos avancojë vlerësimi i programit, nuk do të ketë disbursim të këstit që i përket Fondit.

Ndaje me miqte