0030 210 33 18 483

Deklarata e komisionerit Hahn për çështjen çame reagon Athina

TRIBUNA 30 Shtator 2016

Ministria e jashtme greke ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të komisionerit europian, Johanes Hahn, se përshëndet faktin që Athina dhe Tirana diskutojnë për çështjen çame. Këtë pjesë të deklaratës së komisionerit për fqinjësinë dhe zgjerimin, Athina zyrtare e cilëson si të papranueshme dhe shton se problemi çam nuk ekziston dhe se asnjëherë nuk ka qenë objekt negociatash midis dy qeverive. “Përgjigjja e komisionerit Hahn ndaj pyetjes së eurodeputetes greke Maria Spiraki është e pavërtetë dhe e papranueshme”, thuhet që në fillim të deklaratës së ministrisë së jashtme greke, të shpërndarë në mesditë. “Siç dihet, çështja çame nuk ekziston dhe rrjedhimisht asnjëherë nuk është bërë objekt negociatash midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë”. Deklarata e ministrisë së jashtme greke sulmon drejtëpërdrejtë komisionerin Hahn. “Komisioneri Hahn, me përgjigjen e pavërtetë të tij tregon se nuk e ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të paanshmërisë, me qëllim që të promovojë inbteresin e përbashkët të Unionit, siç parashikohet nga neni 17 i Konventës së Lisbonës”. Deklarata e ministrisë së jashtme greke bën me dije se faktikisht komisionerit Hahn “i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit institucional të japë menjëherë përgjigje bindëse mbi përmbajtjen e papranueshme dhe të gënjeshtërt të përgjigjes së tij”. Ndaj komisionerit Hahn ka reaguar edhe eurodeputetja greke Maria Spiraki, që gjithasahtu e cilëson si të pavërtetë këndvështrimin e zyrtarit të lartë të Komisionit Europian “Dikush duhet t’i mësojë komisionerit Hahn historinë e rajonit, në mënyrë që mos të përfundojë në kësi lloj përgjigjesh, përderisa nuk e bën me efektivitet politika e ministrit të jashtëm grek, zotit Kotzias”, thekson eurodeputetja. Eurodeputetja greke kishte kërkuar pozicionimin e komisionerit lidhur me ato që ajo i cilësonte si “pretendime rivendikuese të Shqipërisë”. Duke mbledhur bashkë ngjarjet para dhe gjatë vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë, si deklaratat e kryeministrit në kongresin e PDIU dhe protestës së çamëve para ministrisë së jashtme, eurodeputetja kërkonte të dinte: -Nëse Komisioni Europian e ndërlidh veprimet e partisë në pushtet me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, që siç nënvizonte, përbën kusht për integrimin europian të Shqipërisë. Eurodeputetja gjithashtu pyeste nëse rastet që kishte përshkruar do të merren parasysh në progres raportin e radhës për Shqipërinë. Në përgjigjen e vet, komisioneri Hahn veçonte faktin se është shtuar dendësia e kontakteve të nivelit të lartë midis Athinës dhe Tiranës. Në këtë sens, ai nënvizonte se “Komisioni Europian përshëndet faktin se të dy vendet po shqyrtojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët për zgjidhjen e problemeve dypalëshe. Ndër këto, vazhdon komisioneri, përfshihet delimitimi i shelfit kontinental dhe zonave detare, të drejtat e njerëzve që u përkasin minoriteteve dhe çështja çame”. Pikërisht kjo e fundit ishte që shkaktoi reagimin e fuqishëm të Athinës, që paralajmëron një ritensionim të mundshëm midis dy kryeqyteteve fqinje.

Ndaje me miqte