Del në shitje libri i bujshëm për presidencën Trump
Zëri i Amerikës
06 Janar 2018
Shtëpia e Bardhë ka gjasa të vendoset përsëri para pyetjeve për të tretën ditë radhas, ndërsa doli në treg libri i bujshëm “Zjarr dhe furi” për vitin e parë të presidencës së Donald Trumpit. Autori i librit tha në një intervistë se thirrjet e presidentit për të ndalur botimin e librit, po e ndihmojnë të shesë më shumë kopje të tij.
Në librin me 336 faqe, autori Michael Wolff e përshkruan presidentin Donald Trump si një burrë-fëmijë të padisiplinuar, që nuk donte t’i fitonte zgjedhjet. Presidenti tha në Twitter se libri është plot me “gënjeshtra, keqinformime dhe burime joekzistente”.
Autori Wolff tha sot se kishte folur me zotit Trump që nga inaugurimi dhe ishte “i qetë” për çdo gjë që kishte shkruar në libër.
Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, drejtuesi i fushatës së zotit Trump në periudhën e fundit të saj në vitin 2016, citohet gjerësisht në libër.
Në segmentin më të debatueshëm të librit, Bannon citohet të thotë se e kishte parë si “tradhëti” dhe “jopatriotik”, faktin që djali i madh i Presidentit Trump, Donald Trump, Jr., së bashku me dhëndrin Jared Kushner, që tani është këshilltar në Shtëpinë e Bardhë dhe ish-menaxherin e fushatës, Paul Manafort, u takuan me rusët në mes të fushatës, në Kullën Trump në Nju Jork.
Një avokat i presidentit u përpoq të bllokonte botimin e librit, duke e konsideruar shpifës dhe denigrues.
Ekipi ligjor i zotit Trump i dërgoi gjithashtu një letër zotit Bannon, ku kërkonte që ai të mos bëjë më komente shpifëse për zotin Trump dhe familjen e tij.
Të premten në mëngjes Donald Trump përsëri bëri komente në Twitter, duke thënë se "Media e lajmeve të rreme dhe ky libër i rremë po godasin në çdo front të imagjinueshëm. Po godasin, - shkruan ai, - pikërisht tani që bashkëpunimi i fshehtë me Rusinë doli se ishte krejtësisht diçka e sajuar, tani që doli se i vetmi bashkëpunim i fshehtë është ai mes Hillary Clintonit dhe FBI-së për çështjen e Rusisë. Ata më mirë të përpiqen të fitojnë zgjedhjet", - shkruan zoti Trump.
Një avokat i presidentit u përpoq të bllokonte botimin e librit, duke e konsideruar shpifës dhe denigrues. Por autori Michael Wolf tha se ishte i qetë për ato që kishte shkruar; ai tha gjithashtu, se përpjekjet për ta bllokuar daljen e librit i kishin bërë mirë atij, sepse do të shtonin shitjet.
Për shkak të kritikave nga Shtëpia e Bardhë, libri doli në qarkullim 4 ditë më përpara se ishte planifikuar dhe të premten në libraritë e Uashingtonit u panë radhë njerëzish që prisnin për ta blerë, megjithë të ftohtit e madh. Madje, qysh në mëngjes libraritë thanë se nuk kishin më kopje.
Ishte Steve Bannon ai që e ndihmoi zotin Trump të krijonte koalicionin e konservatorëve që e solli në Shtëpinë e Bardhë, por tani, pas kritikave të pasqyruara në libër, mesa duket marrëdhëniet e Presidentit me zotin Bannon po prishen përfundimisht.
Ndaje me miqte